- Scritto da Super User
- Published in Veprimtari
- Hits: 2308
- Stampa ,
Në datë 20 maj 2017, në mjediset e Fakultetit të Shkencave të Edukimit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan u mbajt Konferenca e Parë Kombëtare “Sfidat e arsimit parauniversitar dhe shërbimet psiko-sociale në shkollë”. Kjo konferencë u organizua në bashkëpunim me shoqatën “Psikologët shqiptarë” dhe me DAR, Elbasan.
Në fjalën përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Elbasanit, Prof.Dr.Skënder Topi ka vlerësuar se ngjarje të tilla shkencore, janë mjaft të rëndësishme, pasi ato shërbejnë që akademikët e universitetit, kërkuesit shkencorë dhe profesionistët nga sektorë të ndryshëm shërbimi, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi për veprimtari konkrete me interes të gjërë publik.
Dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Prof.Asc.Dr.Valentina Haxhiymeri, u ka uruar mirëseradhjen të pranishmëve në këtë konferencë, dhe ka theksuar se ky forum vjen në një moment të rëndësishëm të zhvillimeve të vrullshme reformuese në sistemin arsimor parauniversitar dhe shërbimeve psiko-sociale në shkollë, që synojnë arritjen e cilësisë në edukim, garantimin e drejtësisë sociale dhe krijimin e shanseve të barabarta për mirëqënie dhe sukses shkollor.
Konferenca u përshëndet edhe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, z. Pëllumb Karameta, kryetarja e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit znj. Gentiana Sula, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Prof. Dr. Edmond Rapti, nën/Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Elbasan znj. Elena Xhina, drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Rajonale Elbasan Dr. Jonida Cungu, drejtorja ekzekutive e shoqatës “Psikologët shqiptarë” Prof.As.Dr. Fiona Todhri, si dhe të ftuar të tjerë.
Qëllimi i kësaj konference ishte inkurajimi i diskutimit dhe shkëmbimit të ideve rreth sfidave konkrete që ndeshen sot brenda sistemit arsimor parauniversitar, duke marrë në fokus tre sektorë shërbimi të ndërlidhur ngushtësisht: edukativ, psikologjik dhe social; nxitja e debatit mbi gjetjet e reja kërkimore dhe praktikat më të mira të zbatimit të pedagogjisë moderne në mjediset diverse të të nxënit, të programeve sociale me bazë shkolle për fëmijët dhe familjen, dhe të strategjive të ndërhyrjes psikologjike për të fuqizuar fëmijët, prindërit dhe personelin e shkollës; shtimi i kontributit përmes qasjeve kërkimore në përparimin teorik dhe praktik të shkencës së edukimit, psikologjisë dhe shërbimeve sociale; mbështetja me të dhëna konkrete nga tregu i punës i fakulteteve që formojnë mësues, psikologë dhe punonjës social dhe mbi bazën e tyre, përmirësimi i programeve të studimit dhe kualifikimit në vazhdimësi, që t`i përgjigjet me efikasitet kërkesave dhe standardeve të kohës; përkrahja e iniciativave për zgjerim të mëtejshëm të bashkëpunimit midis pjesmarrësve.
Konferenca krijoi mundësi për një komunikim ndërdisiplinor midis akademikëve, kërkuesve, mësuesve, psikologëve, punonjësve socialë, vendimarrësve dhe politikbërësve, duke bërë pjesë të tij edhe studentët dhe ish të diplomuar të UE. Gjatë zhvillimit të saj pjësëmarrësit referuan në sesione paralele me tematika: Reforma në sistemin arsimor dhe sfidat për të ardhmen; Çështje të mësimdhënies dhe të nxënit në arsimin parauniversitar; Çështje psiko-sociale dhe pedagogjike të edukimit gjithëpërfshirës; Probleme sociale që ndikojnë në edukim; problemet psiko-sociale në shkollë; sfidat e edukimit në fushën e vlerave qytetare, kulturore dhe sportive.