Historiku i Universitetit
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, i themeluar në vitin 1991, është institucion i rëndësishëm arsimor e shkencor në Republikën e Shqipërisë, një nga universitetet më në zë të vendit për përgatitjen e mësuesve, të specialistëve dhe studiuesve të rinj në fusha të ndryshme të studimeve. Historia e tij për afro 4 dekada ka njohur arritje të dukshme në shumë fusha të veprimtarisë së procesit mësimor dhe kërkimor. Universiteti është ngritur mbi një traditë të pasur në këtë drejtim. Pa dyshim kjo traditë ka të bëjë dhe është e lidhur ngushtë me Shkollën Normale, të çelur më 1909, e cila luajti për shumë kohë rolin e një universiteti të vërtetë
Sot, Universiteti i Elbasanit, vazhdon traditën arsimore në fushën e mësuesisë por edhe në fusha të reja e dinamike të dijes e kërkimit shkencor. Veprimtaria e Universitetit bazohet në nenin 57, pika 7, të Kushtetutës, në Ligjin nr.80/2015 datë 22.07.2015 "Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë Republikën e Shqipërisë", në Statutin e UE-së si dhe në rregulloret që miratohen në zbatim të tij.
Në mënyrë të detajuar në UE funksionojnë:
I. Fakulteti i Shkencave Humane, me programe studimi Bachelor, Master profesional, Master i shkencave dhe Doktoratë në fushat e kërkimit të tij: gjuhë shqipe dhe të huaj (anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht), histori, gjeografi, gazetari, albanologji, programe profesionale 2-vjeçare në sekretar i specializuar dhe operator turistik në gjuhën gjermane.
II. Fakulteti i Shkencave të Natyrës, me programe studimi Bachelor, Master profesional dhe Master i shkencave në fushat e kërkimit të tij: biologji, kimi, botanikë, zoologji, mbrojtje mjedisi, matematikë, fizikë, teknologji e informacionit, informatikë, gjeometri, fizikë teorike e eksperimentale si dhe programe profesionale 2-vjeçare në teknik laboratori, teknik mjedisi, mekatronikë, logjistikë .
III. Fakulteti i Shkencave të Edukimit, me programe studimi Bachelor, Master profesional në fushat e kërkimit të tij: mësuesi për ciklin fillor (klasës I-IV të shkollës 9-vjeçare), edukatorë për arsimin parashkollor, psikologji, filozofi, sociologji, edukim fizik dhe artistik si dhe program profesional 2-vjeçar në edukator për moshat 0-3 vjeç.
IV. Fakulteti Ekonomik, me programe studimi Bachelor, Master profesional dhe Master i shkencave në fushat e kërkimit të tij: administrim, biznes, financë, kontabilitet, ekonomia dhe e drejta, shkenca juridike në biznes, shkenca juridike në sektorin publik, ekonomi turizëm, administrim biznes dhe inxhinieri dhe informatikë ekonomike.
V. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, programe studimi Bachelor, Master profesional, Master i shkencave dhe Doktoraturë në fushat e kërkimit të tij: infermieri, infermieri mami, teknik laboratori, imazheri, manaxhim infermieror, fizioterapi dhe logopedi
Që nga themelimi i UE-së (1991) e në vijimësi punohet për krijimin e strukturave dhe institucioneve ndihmëse për procesin mësimor dhe veprimtarinë kërkimore-shkencore. Si kërkesa të natyrshme të ristrukturimit të UE-së dhe si ndihmëse në procesin e mësimdhënies, janë ngritur e janë vënë në dispozicion laboratorë teknikë pranë secilës njësi kryesore.
Bashkërendimi i orëve teorike në të gjitha programet e studimit me orët e praktikës në laboratorë apo pranë institucioneve bashkëpunëtore të UE-së, ka krijuar një ridimensionim të hapësirës së studentit. Politikat institucionale me në qendër studentin, kanë krijuar hapësira të pafundme për ndërkombëtarizimin e UE-së, duke u ofruar studentëve mundësi të barabarta të pjesëmarrjes në programet e mobilitetit jashtë vendit. Gjithashtu kjo politikë është integruar me partneritete brenda dhe jashtë vendit, për të realizuar trajnime e kualifikime të ndryshme.
Politika e ndërkombëtarizimit ka patur një shtrirje të gjerë mes personelit të UE-së. Kjo ka mundësuar shkëmbime të personelit me universitetet partnere si dhe ka nxitur e kontribuar në rritjen e kapaciteteve, në kuadër të projekteve për ngritjen e kapaciteteve të Bashkimit Evropian. Kjo ka sjellë si pasojë një sërë aktivitetesh ndërkombëtare në UE.
Koncepti për të ardhmen e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” mbështetet jo thjesht në afërsinë e tij pranë tregut të punës, transaksioneve dhe sferës utilitare, por, pse jo, edhe i shkëputur prej tyre, pasi misioni i universiteteve nuk duhet të jetë vetëm që të prodhojë punëtorët dhe specialistët e fushave të ndryshme të kulturës dhe prodhimit, por edhe të formojë mbrojtës dhe sigurues të lirive e të drejtave shoqërore dhe qytetare në Shqipëri.
NORMALJA DHE UNIVERSITETI
Normalja e Elbasanit, e hapur në vitin 1909 dhe Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, parakuptojnë një bashkëmarrëdhënie të ngushtë, e cila nuk mund të konceptohet e vlerësohet pa konsideruar në mënyrë të ndërsjellë dy institucionet e sipërpërmendura.
Këto dy institucione të rëndësishme, që ndonëse ndryshojnë nga njëri-tjetri në aspektin kohor, strukturor e statusor, kanë një lidhje të brendshme organike të dukshme ndërmjet tyre, pasi kanë ruajtur historikisht të njëjtat funksione e kanë zbatuar detyra të njëjta.
Me çeljen e kësaj shkolle, Elbasani do të bëhej jo vetëm djepi i Normales, por, sipas përcaktimit të Luigj Gurakuqit, drejtorit të parë të Normales, edhe “djepi i mësimit dhe i diturisë kombëtare”. Përmbushja e kësaj dëshire është qëllimi që i kemi vënë vetes në këtë institucion, thirrja që do të jetë gjithnjë në qendër të veprimtarisë së sotme mësimore e kërkimore, por edhe vizioni i së ardhmes të universitetit tonë.
Kjo traditë, këto vlera shumëdimensionale, ky terren tradicionalisht i përgatitur dhe i formësuar, do të çojnë natyrshëm në krijimin e një shtrati të sigurt, mbi të cilin do të fillojë jetën e do të hedhë shtat në vitin 1971 Instituti i Lartë Pedagogjik dhe pas afro dy dekadash Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit.
UE është institucion i ngritur në statusin universitar mbi Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” (ILP) të Elbasanit.
ILP-ja, ky institucion i lartë arsimor, që ka përgatitur mësues për shkollën 8-vjeçare dhe të mesme, u ngrit më 1971 dhe ka funksionuar deri më 1991. ILP. u themelua duke u mbështetur në traditën e përgatitjes së mësuesve në shkollën Normale të Elbasanit, si dhe në përvojën e grumbulluar në dy filialet pararendëse të tij, një i Universitetit të Tiranës dhe tjetri i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, si dhe të trashëgimisë së veprimtarisë së gjerë shkencore e arsimore të mjaft studiuesve e mësuesve elbasanas.
Fillimisht ILP-ja ka kryer veprimtarinë e vet mësimore në katër degë të mësuesisë: gjuhë-letërsi, matematikë-fizikë, histori-gjeografi, biologji-kimi, në sistemin me dhe pa shkëputje nga puna, me kohëzgjatje trevjeçare; në degët inxhinieri ndërtimi, inxhinieri mekanike, ekonomi kontabël, ekonomi plan, si filiale të UT-së. Ky institucion zhvilloi veprimtari në filialet e tij të ngritura në qytetet Korçë, Fier dhe Berat.
Në vitin 1981 u hap dega e përgatitjes së mësuesve për katër klasat e para të shkollës 8-vjeçare, me kohëzgjatje studimi 3 vjet. Afati i studimeve në ILP më 1982 u shtri nga tre në katër vjet. Pranë tij kanë funksionuar pesë katedra:
- Katedra e gjuhës shqipe dhe letërsisë
- Katedra e histori-gjeografisë.
- Katedra e matematikë-fizikës
- Katedra e biologji-kimisë
- Katedra e lëndëve psiko-didaktike dhe e djathtësive
Drejtorë të ILP-së kanë qenë: dr. Vasil Kamami nga viti 1971 deri më 1984; dr. Hysen Shabanaj nga viti 1984 deri më 1990; prof.dr. Agron Tato nga viti 1990 deri më 1992.
Në vitin 1991, ILP “Aleksandër Xhuvani” fiton statusin e institucionit universitar, duke u emërtuar Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.