Administratori i UE
Administratori i UE-së është autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të institucionit. Ai është përfaqësues ligjor i institucionit të arsimit të lartë për çështjet financiare dhe administrative. Administratori kryen këto funksione:
a) harton projektbuxhetin vjetor, mbi bazën e propozimeve të njësive kryesore dhe të njësive bazë, mbështetur në planin strategjik të zhvillimit të institucionit dhe në planin buxhetor afatmesëm të tij;
b) propozon kriteret për administrimin e burimeve financiare e materiale, të cilat ia paraqet për miratim Bordit të Administrimit dhe mbikëqyr shpërndarjen e zbatimin e tyre;
c) ndjek dhe kontrollon zbatimin e buxhetit vjetor të institucionit të arsimit të lartë në strukturat e varësisë së tij;
d) zbaton të gjitha vendimet e Bordit të Administrimit dhe të Senatit Akademik me karakter financiar dhe administrativ;
e) i paraqet Bordit të Administrimit dhe Senatit Akademik raportin mbi veprimtarinë financiare të institucionit të arsimit të lartë, në përfundim të vitit akademik;
f) bashkëpunon me strukturat dhe autoritetet e tjera të institucionit të arsimit të lartë për çështje të administrimit të përditshëm;
g) i propozon Bordit të Administrimit kriteret specifike të punësimit të personelit administrativ si dhe marrjen e masave disiplinore;
h) krijon komision ad hoc për konkursin e rekrutimit të personelit administrativ, sipas përcaktimeve në këtë statut;
i) trajton ankesat lidhur me zhvillimin e konkursit për rekrutimin e personelit administrativ, sipas afateve të përcaktuara në statut;
j) vendos ripërsëritjen e konkursit për rekrutimin e personelit administrativ në rast konstatimi të parregullsive;
k) miraton klasifikimin përfundimtar të konkursit të rekrutimit të personelit administrativ dhe emëron kandidatin e shpallur fitues;
l) harton dhe nënshkruan kontratën e punës me personelin administrativ të UE-së;
m) emëron dhe shkarkon administratorët e njësive kryesore dhe njësive bazë pas miratimit të Bordit të Administrimit;
n) plotëson kërkesat e rektorit, me qëllim përmbushjen e nevojave akademike, administrative dhe financiare.
Aktualisht detyrën e Administratorit të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, e mban z. Eljan Hoxha, emëruar me vendim Bordi të Administrimit Nr. 7 datë 23.06.2017 “Për emërimin e Administratorit të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.