Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani organizoi në bashkëpunim me Shoqatën “Tjetër Vizion”, një takim në kuadër të muajit kundër trafikimit të qenieve njerëzore
"Nga Ndërgjegjësimi në Veprim: Bashkohuni në Luftën Kundër Trafikimit", ishte moto e takimit të organizuar në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani,” në bashkëpunim me Shoqatën “Tjetër Vizion”, në kuadër të muajit tetor, i cili njihet si muaji kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Aktiviteti kishte për qëllim sensibilizimin dhe forcimin e rolit të përbashkët të komunitetit akademik dhe institucioneve lokale në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Zëvendësrektorja e Universitetit të Elbasanit, Prof.as.dr. Rezarta Tahiraj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm për një koordinim efektiv dhe për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj kësaj çështjeje.
"Bashkërisht duhet të ndërmarrim hapa të përbashkët për të siguruar një përgjigje të qëndrueshme dhe të efektshme ndaj të gjitha formave të trafikimit, në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe të drejtësisë,".
Ajo gjithashtu theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të universitetit, jo vetëm në përgatitjen e profesionistëve të së nesërmes, por gjithashtu ofrimimin e mbështetjes konkrete ndaj çështjeve të rëndësishme të shoqërisë sonë.
Takimi shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të përpjekjeve kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe ndërgjegjësimit të komunitetit për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin njerëzor.
Në hollin e bibliotekës u ekspozuan gjithashtu punimet artistike të fëmijëve me mesazhe ndërgjegjësuese kundër TQNJ.