Zhvillohet Konferenca e parë kombëtare e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Edukimit me temë Sfidat aktuale të studentëve lidhur me praktikën profesionale në kontekstin e kopshtit gjithëpëfshirës, fokus edukimin e fëmijëve nga pakicat etnike
Konferenca e parë e studentëve “Sfidat aktuale të studentëve lidhur me praktikën profesionale në kontekstin e kopshtit gjithëpëfshirës, me fokus edukimin e fëmijëve nga pakicat etnike”, mbajtur më 14 qershor 2019, Elbasan, është mbështetur nga Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti i Shkencave të Edukimit dhe në bashkëpunim të ngushtë me organizatën “Save the Children”.
Kjo konferencë u organizua në kuadër të zbatimit të projektit “Kujdes dhe zhvillim në fëmijërinë e hershme për fëmijët romë në Shqipëri”, financuar nga Roma Education Fund dhe MEDIKOR, zbatuar nga “Save the Children” në partneritet me organizata të tjera lokale, si: Romano Sezi dhe Voice of Roma.
Qëllimi i kësaj konference ishte të ofronte mundësi për studentët të cilët ndjekin programet e studimit në fushën e mësuesisë dhe aktorët e tjerë që përkrahin rrugëtimin e tyre drejt formimit profesional, që të mblidhen së bashku dhe të ndajnë me njeri tjetrin dijen dhe përvojën e fituar në kuadër të realizimit të praktikës profesionale, me fokus zbatimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe garantimin e cilësisë në edukimin për fëmijët nga pakicat etnike.
Konferenca mirëpriti studentë të ftuar nga Universiteti i Korçës të cilët sollën përshëndetjet e kolegëve të tjerë të universitetit të tyre. Pjesë e konferencës u bënë edhe studentë të fakulteteve të tjera të Universitetit të Elbasanit, ish të diplomuar ndër vite në këtë universitet të cilët aktualisht janë specialist të dalluar në fushën e arsimit, si edhe perfaqesues të shoqatës “Zëri Rom” nga rrethi Elbasan dhe Fier.
Konferenca e Studentëve u përshëndet nga dekani i Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Pro.As.Dr. Valentina Haxhiymeri, nga menaxheri i projektit Save the Children z. Besnik Kadesha, drejtueseja e departamentit të metodologjisë së mësimdhënies znj. Florinda Tarusha, drejtuesja e organizatës “Zeri Rom” znj. Mexhidie Ademi, oficerja e Save the Children znj. Enkelejda Bakia dhe studiuesja e gjuhës rome, Prof.As.Dr. Meli Shopi.
Në fjalën e tyre, të ftuarit vlerësuan konferencën e studentëve si një aktivitet që promovon një vizion të ri të implementimit praktik të përfshirjes aktive të studentëve në procesin e prezantimit të punimeve studimore në grup, të diskutimit konstruktiv, të reflektimit në mënyrë kritike mbi problemet dhe sfidat konkrete që ata ndeshin si praktikantë, si dhe të zhvillimit të ideve për të ndryshuar realitetin dhe për të sjellë kontribute të rëndësishme në procesin e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së programeve të studimit në fushën e mësuesisë, të ofruar në institucionet e arsimit të lartë, si dhe rritjen e kapaciteteve dhe bashkëpunimit me mësuesit mentorë të kopshteve dhe shkollave ku zhvillohen praktikat profesionale.
Ky forum paraqiti jo vetëm një përvojë të re, nxitëse dhe frymëzuese në karrierën e hershme profesionale të gjeneratës së re të studentëve – mësues, por u dha atyre edhe një hapësirë të shkëlqyer për të themeluar një rrjet të përbashkët ndërveprimi dhe partneriteti për të ardhmen.