Veprimtari të organizuara nga Departamenti i Metodologjive të Mësimdhënies në kuadër të Ditëve të hapura dhe Ditëve akademike.
I. Ditët akademike
Në kuadër të Ditëve akademike, Departamenti i Metodologjive të Mësimdhenies realizoi disa aktivitete në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Edukimit:
1.Më datë 30.04.2015 referim shkencor nga Dr. Alma Muharremi me temë “Impakti i digjitalizimit të sistemit arsimor parauniversitar në mësimdhënie e të nxënë. Detyrat e fakulteteve të mësuesisë.“
Tema e referatit ishte me shumë interes, sepse aktualisht MAS sapo ka prezantuar projektin për digjitalizimin e shkollave shqiptare nëpërmjet integrimit të teknologjisë në arsimin e mesëm. Qëllimi i këtij referati shkencor ishte të argumentonte se digjitalizimi i shkollave shqiptare nëpërmjet integrimit të teknologjisë në arsimin e mesëm duhet të ndikojë në metodologjinë e mësimdhënies duke e bërë atë ndërvepruese; si dhe të tregojë se transformimi në metodologjinë e mësimdhënies duhet të ndikojë në pedagogjinë e mësimdhënies. Ligjërata u mbështet në këto katër shtylla, që ishin pyetjet kërkimore:
- Çfarë përfaqëson digjitalizimi i shkollave shqiptare nëpërmjet integrimit të teknologjisë në arsimin e mesëm?
- Cili është, sipas studiuesve, kuadri bazë teorik që e mbështet mësimdhënien me teknologji? Çfarë nënkupton mësimdhënia me teknologji?
- A janë të përgatitur mësuesit shqiptarë për të zhvilluar mësimdhënien me teknologji? Ku duhet të konsistojë trajnimi i tyre?
- A i kanë paraprirë fakultetet e mësuesisë procesit të digjitalizimit? Çfarë është e rëndësishme për mësuesit e rinj?
Në përfundim të referatit, dr. Alma Muharremi paraqiti “Mendime për të ardhmen”, ku u pa qartë kompetenca e saj shkencore në trajtimin e kësaj tematike dhe implementimin në mjedisin arsimor shqiptar. Të pranishmit, pedagogë e studentë, vlerësuan referatin, informacionin e përcjellë duke bërë pyetje e diskutime në lidhje me temën e trajtuar.
2.Më datë 19.05.2015 referoi Dr. Marta Topçiu në lidhje me temën “Formimi i mendimit kritik. Teori dhe praktikë.”
Ndryshimi i vrullshëm dhe marramendës që po ndodh në shoqërinë e sotme (të cilën tashmë e ka përfshirë globalizmi në çdo fushë të jetës) paraqet një sfidë shumë të madhe për ata që do të përgatisin brezin e ri për shek. 21-të. Edukatorët e të gjitha sferave po përballen me pyetjen boshtore: Si t’i përgatisim të rinjtë për një jetë të suksesshme dhe frytdhënëse? Shumica e njohurive që i dimë sot, do ta humbasin aktualitetin, do të bëhen të papërshtatshme, stereotipe apo të vjetruara dhe do të mënjanohen gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm apo edhe më shpejt. Në trendin aktual të zhvillimit të botës së sotme, të gjitha njohuritë dhe shkathtësitë e nevojshme jetësore nuk mund të ofrohen vetëm nëpërmjet shkollimit. Kështu nxënësve u mbetet për detyrë domosdoshmëria për (vet)arsim gjatë tërë jetës, madje nëpërmjet mendimit kritik. Mendimi kritik i mbështetur në “prova” gjithnjë riprodhon informacion të ri; dukuri dhe shfaqje; shembuj dhe detyra; rrugëzgjidhje dhe zgjidhje; operacione dhe relacione; vizatime dhe modelime; kërkime dhe zbulime; “të reja”, të papara më parë. Mendimi kritik paraqet procesin e shqyrtimit të ideve nga shumë këndvështrime, duke përfshirë ndikimet dhe rrjedhojat e tyre, të krahasuara me ide të tjera.
Këto ishin disa nga çështjet e trajtuara në këtë tematikë. Gjatë referimit pati diskutime interesante nga studentët dhe pedagogët, duke sjellë edhe shembuj nga jeta e përditshme.
3.Më datë 13.05.2015, në mjediset e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, (kabineti i vizatimit), pedagogu Ibrahim Zabzuni zhvilloi leksionin e hapur , me temë: “Arti si instrument i zhvillimit të aftësive sociale, fizike, intelektuale dhe emocionale tek nxënësit e arsimit fillor”. Tema e referatit ishte me shumë interes. Qëllimi i referatit ishte roli që duhet të luaj arti në arsimin fillor si krijimtari, dhe si formë e mjet komunikimi.
4.Më datë 20.05.2015, pedagogu Ibrahim Zabzuni organizoi një ekspozitë artistike mbi punimet e studentëve të Arsimit Fillor dhe Parashkollor në mjediset e kabinetit të vizatimit.
5.Më datë 21.05.2015 u organizua promovimi i librave – botime të reja nga Prof. Dr. Vilson Kuri, Prof. Asc. Dr. Florinda Tarusha, Prof. Asc. Dr. Xhevdet Zekaj.
6.Më datë 22.05.2015 u organizua një Ekspozite artistike me punimet e studentëve nga Dr. Ornela Bilali dhe Beatriçe Gani.
7.“ Edukimi për sipërmarrje-kompetencë themelore në arsimin fillor” u titullua referati shkencor nga Dr. Ardian Tana dhe Prof. As. Dr. Florinda Tarusha më 21.05.2015.
Në kuadrin e Ditëve Akademike, në mjediset e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, më datë 21. 05. 2015, u zhvillua një bashkëbisedim me temë “Edukimi për sipërmarrjen-kompetencë themelore në arsimin fillor” me studentët e vitit të tretë të degës Mësuesi për Arsimin Fillor. Bashkëbisedimi rreth kësaj teme interesante për studentët u drejtua nga Dr. Ardian Tana dhe Prof.As.Dr. Florinda Tarusha.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte njohja e studentëve me rëndësinë e edukimit për sipërmarrjen të nxënësve të arsimit fillor si një prej kompetencave kyçe me të cilat duhet të jenë të pajisur nxënësit tanë për të përballuar sfidat e së ardhmes dhe për të qenë të dobishëm për familjen, shoqërinë dhe kombin.
Studentët shfaqën mjaft interes rreth kësaj teme për shkak se kishin pak informacion rreth saj, ndërkohë që vlerësuan rëndësinë e kësaj teme dhe dobinë e saj për të ndërgjegjësuar mjediset shkollore dhe më gjerë dhe për të krijuar në shkolla mundësinë e nxitjes së kësaj aftësie mjaft të rëndësishme për çdo individ në mënyrë që të kthejë në realitet ëndrrat dhe dëshirat e nxënësve.
Edukimi për sipërmarrjen nuk realizohet si një lëndë e veçantë në arsimin fillor, por ai duhet të gjejë hapësirën e duhur për t’u zhvilluar në lëndë të ndryshme, përmes temave të ndryshme, integrimit ndërlëndor dhe punës me projekte.
Për të mundësuar ndërgjegjësimin e duhur në lidhje me këtë temë është e nevojshme që të punohet në formimin universitar të mësuesve të ardhshëm si dhe trajnimin e mësuesve që japin mësim në mënyrë që ta njohin dhe t’i japin vendin e duhur punës për këtë qëllim.
Përmes pyetjeve dhe komenteve studentët sqaruan mjaft aspekte në lidhje me edukimin për sipërmarrje si një kompetencë themelore, veçoritë e sipërmarrjes dhe mënyrën si duhet punuar për ngulitjen e saj te nxënësit. Ata vlerësuan dobinë e trajtimit të kësaj teme dhe mbi të gjitha formën e zgjedhur për punimin e saj.