Zëvendës Ambasadori i SHBA në Tiranë vizitë në Universitetin e Elbasanit
Henry V. Jardine, zëvendës ambasador i SHBA në Tiranë, ka qenë i pranishëm në një vititë në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, në kuadër të takimeve që ai pati në qytet me vullnetarë të korpusit të paqes. Ai u prit fillimisht nga Rektori i Universitetit, Prof.Dr. Liman Varoshi, i cili pasi i uroi mirëseardhjen diplomatit amerikan, i paraqiti atij një pasqyrë të Universitetit të Elbasanit, një prej institucioneve të arsimit të lartë më të rëndësishëm në Shqipëri. Gjithashtu gjatë këtij takimi Rektori Liman Varoshi, ka theksuar edhe bashkëpunimin e Universitetit, me vullnetarë të korpusit të paqes në Shqipëri, një pjesë e të cilëve kanë qenë pjesë e stafeve mësimdhënëse të këtij institucioni, gjatë periudhës së tyre të qëndrimit në vendin tonë. Zv.Ambasadori Henry V. Jardinë nga ana e tij ka falenderuar për mikëpritjen, si dhe për mbështetjen që Universiteti i Elbasanit i jep vullnetarëve të Korpusit të Paqes, që tashmë prej vitesh janë të pranishëm në këtë qytet.
Më pas Zv. Ambasadori Jardine i shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.Dr. Roland Gjini dhe shefja e departamentit të gjuhëve angleze dhe gjermane Dr. Laureta Vavla, ka zhvilluar një takim me pedagogë dhe studentë të degës së gjuhës angleze në Universitet. Duke iu drejtuar studentëve ai u ka bërë atyre një pasqyrë të shërbimeve që ofron ambasada e SHBA në Tiranë, duke theksuar mbi të gjitha programet e bashkëpunimit në fushën e arsimit që kjo ambasadë ofron, duke krijuar lidhje me institucione të rëndësishme arsimore në SHBA.