Vizitë e atasheut kulturor të Ambasadës Gjermane zj. Christiane Wolters dhe Drejtueses së Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë, znj. Petra Behlke-Campos, në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
Më datë 24 mars 2014, atasheu kulturor i Ambasadës Gjermane në Tiranë, zj. Christiane Wolters dhe drejtuesja e Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë, zj. Petra Behlke-Campos, vizituan Universitetin e Elbasanit. Qëllimi i vizitës ishte njohja me degën e gjuhës gjermane, situatën dhe perspektivat e kësaj dege në Universitetin e Elbasanit. Vizita u shoqërua me takime të rëndësishme me përfaqësuesit e Universitetit të Elbasanit.
Pas një prezantimi të Universitetit nga rektori Prof. Dr. Liman Varoshi, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit me Ambasadën Gjermane dhe Qendrën e Gjuhës Gjermane në Tiranë, si dhe me institucione homologe në Gjermani.
Lidhur me perspektivën e gjuhëve të huaja në Shqipëri, krahas çështjeve të tjera, u diskutua me përgjegjësen e Departamentit të Gjuhëve Angleze dhe Gjermane, Dr. Laureta Vavla, edhe rëndësia e hapjes së një cikli studimi Bachelor dydisiplinor Anglisht-Gjermanisht. Kjo, me qëllimin për t’u ofruar studentëve që kanë dëshirë të studiojnë e të njohin gjuhë e kultura të huaja, alternativa dhe mundësi më të gjera studimi.