Kryeministri Sali Berisha inauguron biblitekën e Universitetit “ Aleksandër Xhuvani” Në Elbasan
Kryeministri Berisha ishte sot mes studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, në mjediset tërësisht moderne dhe bashkohore të kësaj godine, për të inauguruar së bashku me ta, Bibliotekën e Universitetit, e cila sjell për studentët dhe stafin pedagogjik një gamë të gjerë informacioni e servirur me nivelin më të lartë të teknologjisë dixhitale.
Biblioteka është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 80 milion lekë, i cili i shtohet investimeve të tjera të rëndësishme të bëra gjatë 8 viteve në këtë universitet, duke shënuar të gjitha së bashku vlerën e 9 milion dollarëve.
Kryeministri i shoqëruar edhe nga Ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafaj, si dhe Rektori i Universitetit të Elbasanit Liman Varoshi e pedagogë të tjerë pa nga afër mjediset e bibliotekës dhe u njoh me procedurat e studimit në të. Kryeministri vlerësoi si të jashtëzakonshme mundësinë që ju jepet studentëve dhe stafit pedagogjik për tu lidhur on-line, në 24 orë me bibliotekën e Universitetit të Oksfordit dhe për të shfrytëzuar prej saj rreth 250 tituj shkencorë, publikime të viteve 1996-2013, që ajo ofron në fusha si ekonomi, juridik, mjekësi e shkenca të tjera. Kryeministri testoi këtë metodë kërkimi dhe u shpreh se shfrytëzimi i këtij universi informativ ndër më të pasurit dhe të gjithanshëm , është një avantazh i madh për studentët e këtij Universiteti, duke i dhënë atyre të njëjtin akses që ka çdo student universitet të Oksfordit ose çdo student, i universiteteve më të mira në botë. Ai vlerësoi këtë hap të Universitetit të Elbasanit si një inisiativë ndër më të mirat të ndërrmarrë nga Universitetet publike në vend gjatë gjithë kësaj kohe, duke përgëzuar me këtë rast Rektorin Varoshi dhe gjithë stafin drejtues për këtë inisiativë të tyre.
Kryeministri Berisha bashkëbisedoi më pas me studentë të degëve të ndryshme të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
“Ju kërkoj të bisedoni me mua siç bisedoni njëri me tjetrin. Në rast se ju doni të më nderoni sot, ky është nderi më i madh që do të më bënit.”, iu drejtua kryeministri studentëve, me të cilët ndau opinionet, mendimet vërejtjet e sugjerimet lidhur me sitemin arsimor, zhvillimin e tij dhe se çfarë mund të bëhet më mirë në të ardhmen. Në kujtesë në 9 majit, Ditës së Europës, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin të përshëndesë me mirënjohje nga auditorët, të gjitha vendet evropiane, të cilat me ndihmën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme i kanë dëshmuar Shqipërisë dhe shqiptarëve, solidaritetin më të jashtëzakonshëm në periudhën 20 vjeçare, në të gjitha fushat, përfshi këtu edhe arsimin. “Europa është kriter, është tregues, është standard, është praktika dhe secila prej tyre i sjell vetëm të mira, qytetarëve shqiptarë. Këto standarde kërkojnë që ju të jeni më të shkolluar, kërkojnë që ju të jeni të punësuar, kërkojnë që Shqipëria të ketë një infrastrukturë moderne, që ekonomia e Shqipërisë të funksionojë, që ligjet e vendit të funksionojnë. Pra, ky është procesi.” tha për studentët, kryeministri.
![Kryeministri Sali Berisha inauguron biblitekën e Universitetit “ Aleksandër Xhuvani” Në Elbasan ,Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Kryeministri_Sali_Berisha_inauguron_biblitekn_e_UE-1.jpg)
![Kryeministri Sali Berisha inauguron biblitekën e Universitetit “ Aleksandër Xhuvani” Në Elbasan ,Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Kryeministri_Sali_Berisha_inauguron_biblitekn_e_UE-2.jpg)
![Kryeministri Sali Berisha inauguron biblitekën e Universitetit “ Aleksandër Xhuvani” Në Elbasan ,Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Kryeministri_Sali_Berisha_inauguron_biblitekn_e_UE-3.jpg)
![Kryeministri Sali Berisha inauguron biblitekën e Universitetit “ Aleksandër Xhuvani” Në Elbasan ,Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Kryeministri_Sali_Berisha_inauguron_biblitekn_e_UE-4.jpg)
![Kryeministri Sali Berisha inauguron biblitekën e Universitetit “ Aleksandër Xhuvani” Në Elbasan ,Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Kryeministri_Sali_Berisha_inauguron_biblitekn_e_UE-5.jpg)