Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit me Ministrinë e Drejtësisë
Universiteti i Elbasanit "Aleksandër Xhuvani", nënshkroi ditën e sotme Memorandumin e Mirëkuptimit dhe marrëveshjen e Ndihmës Juridike Parësore me Ministrinë e Drejtësisë. Përmes këtyre marrëveshjeve, UE permbush nje objektiv thelbësor në drejtim të rritjes profesionale të studentëve dhe personelit akademik, duke i mundësuar edhe aftësimin praktik nëpërmjet Klinikës së Ligjit të Fakultetit të Biznesit dhe të Drejtësisë qe i garanton të gjithë shtetasve akses të barabartë në drejtësi.
Në vijim të nënshkrimit të memorandumit, Ministri i Drejtësisë, Z. Ulsi Manja, ne ceremoninë zyrtare të emërtimit të Fakultetit te Biznesit dhe Drejtësise, zhvilloi një takim të frytshëm me studentë dhe personel akademik të këtij fakulteti.
Rektori i Universitetit, Prof.dr. Elvira Fetahu, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi se këto marrëveshje janë rezultat i vizionit të Universitetit të Elbasanit, që kontribuon jo vetëm në arsimimin, por edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Dëshmi e këtij suksesi, gjithashtu është afirmimi i Fakultetit të Biznesit dhe i Drejtësisë në misionin e tij të dyfishtë në biznes dhe drejtësi, duke shënuar një rezultat të rëndësishëm në formimin profesional të studentëve, sikurse duke treguar se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë dhe më të qëndrueshme për shoqërinë tonë.