Zhvillohet në Universitetin e Elbasanit për dy ditë radhazi Simpoziumi Shkencor “Gjuha dhe Identiteti Kombëtar”
Në kuadër të “Vitit të Gjuhës Shqipe,” të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Fakulteti i Shkencave Humane, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Institutin Albanologjik të Prishtinës, Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Fakultetin e Edukimit, Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë, si dhe Akademinë e të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave, organizuan për dy ditë radhazi Simpoziumin Shkencor “Gjuha dhe Identiteti Kombëtar”.
Ky aktivitet mblodhi studiues nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, të cilët trajtuan arritjet, sfidat dhe perspektivat e studimeve mbi gjuhën shqipe, rolin e letërsisë si platformë gjuhësore dhe ndikimin e globalizmit në identitetin kombëtar. Aktiviteti shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve, ku studiuesit ndanë përvojat e tyre, trajtuan sfida të ndryshme dhe hodhën dritë mbi perspektivat e reja lidhur me zhvillimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.