Historiku i fakultetit
Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN) si njësi kryesore e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit është formuar në vitin 1992. Degët (sot Programet e studimit) Matematikë-Fizikë dhe Biologji-Kimi janë hapur në vitet 1969-1970, me sisteme të ndryshme studimi (me dhe pa shkëputje nga puna; sistem 3-vjeçar studimi dhe më vonë pas viteve 1980 u hap sistemi 4-vjeçar).
Në vitin 1982 u hap dega 4 vjeçare ditën. Në vitin 1992 u inkuadruan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës degët Matematikë-Fizikë dhe Biologji-Kimi.
Këshilli i Akreditimit, mbështetur në Raportin e Vetëvlerësimit dhe Vlerësimit të Jashtëm, në vitin 2006, në rekomandimin e vet jep Akreditimin Institucional të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Në vitin 2009 u hap programi i studimit bachelor në “Teknologjitë e Informacionit”.
Në vitin 2011 u hap programi i studimit bachelor në “Fizikë Kompjuterike”.
Në vitin 2011 u hap programi i studimit dyvjeçar në “Teknolog Laborant”.
Në vitin 2013 u hap programi i studimit bachelor në “Matematikë-Informatikë”.
Në vitin 2009 u hap programi i studimit Master i Shkencave në “Matematikë e Zbatuar”.
Në vitin 2009 u hap programi i studimit Master i Shkencave në “Mbrojtje Mjedisi”
Në vitin 2012 u hap programi i studimit Master professional në “Teknologjitë e Informacionit”
Në vitin 2012 është miratuar programi i studimit Master professional në “Analist Prodhimi”
Në vitin 2002 filloi studimi në sistemin me kohë të pjesshme.
Departamentet e Matematikës dhe të Fizikës funksionojnë prej 43 vjetësh dhe kanë përgatitur gjenerata të tëra mësuesish të matematikës dhe fizikës për shumicën e qarqeve të Shqipërisë. Vetëm në qarkun e Elbasanit studentët e dalë nga dega Matematikë-Fizikë e Elbasanit mbulojnë thuajse 95% të mësimit të matematikës e të fizikës dhe mjaft drejtues të shkollave. Ky reputacion shndërrohet në një detyrim të madh për të mbajtur lart emrin e mirë dhe pozitat e fituara në tregun arsimor tani të hapur.
Dega Biologji-Kimi ka përgatitur për dekada mësues biologjie e kimie të një niveli të lartë. Kjo është bërë e mundur edhe nga aktivizimi i pedagogëve shumë të përgatitur me grada e tituj shkencorë, si të brendshëm edhe të jashtëm. Bashkëpunimi shumë i mirë me Fakultetin e Shkencave të Natyrës të UT, ka dhënë kontribut shumë të rëndësishëm në konsolidimin e Degës Biologji-Kimi.
Misioni i Fakultetit të Shkencave të Natyrës sot është zhvillimi i tij në mënyrë që te jetë në lartësinë e duhur me nevojat e kërkesat e tregut të punës.
Si fakultet synojmë arritjen e rezultateve reale dhe të vlefshme në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, që u përgjigjen edhe programeve të ndryshme në të cilat mund të studiohet në këtë Fakultet. Vitet e fundit është bërë një punë shumë e madhe në hapjen e studimeve në Master Profesional dhe ne master të shkencave. Si objektiv ky fakultet ka hapjen e shkollës së doktoraturës në Mbrojtje Mjedisi, e cila do të plotësonte të tre nivelet e studimit universitar.
Objektivi ynë është që të formojmë individë të aftë në mësimdhënien e lëndëve të matematikës, fizikës, biologjisë, kimisë dhe informatikës. Fakulteti ynë synon që të formojë specialistë të pajisur me njohuritë e duhura dhe me arritjet e fundit në fushën e shkencave për tregun e punës dhe në studimet e mëtejshme në institucione që ata do ta gjykojnë më të arsyeshme, brenda dhe jashtë vendit.
Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës është Prof. as. dr. Bederiana Shyti. Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Aktualisht është personel akademik, pranë Departamentit të Matematikës.
Zëvendësdekanet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës:
Dr. Marilda Osmani
Dr. Blerina Papajani
Përgjegjës i Departamentit të Matematikës është Dr. Dhurata Valera
Përgjegjës i Departamentit të Fizikës është Dr. Genti Progri
Përgjegjës i Departamentit të Biologjisë është Prof. as. Dr. Silvana Turku
Përgjegjës i Departamentit të Kimisë është Dr. Belinda HOXHA
Përgjegjës i Departamentit të Informatikës është Dr. Rexhep Rada
Stafi akademik i Fakultetit tonë në misionin e mësimdhënies shoqërohet nga një staf mbështetës në lartësinë e detyrave të kërkuara.
Administrata e Fakultetit të Shkencave të Natyrës është e përbërë nga sekretaria mësimore e Fakultetit dhe sekretaria e Dekanatit.