Organizohet aktiviteti i Erasmus+ në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”
Aktiviteti i Erasmus+ është aktiviteti i parë i organizuar në kuadër të kremtimit të ditëve të Erasmus+ në Universitetin e Elbasanit.
Aktiviteti bëri bashkë studentë e personel akademik, për të cilët u prezantuan projektet e reja në të cilat UE bën pjesë dhe gjithashtu u përditësuan zhvillimet e projekteve aktuale.
Zëvendësrektorja, prof. as. dr. Elvira Fetahu, në fjalën e saj përshëndetëse në aktivitet, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me universitetet partnere si dhe mundësitë e pafundme të cilat program ofron për studentët, personelin akademik, ndihmës akademik e për të gjithë institucionin në tërësi.
Përfaqësuesja e zyrës së Erasmus+ Tiranë, znj. Elona Saraçi, në fjalën e saj përshëndetëse, përgëzoi Universitetin e Elbasanit, i cili në një hark kohor të shkurtër, arriti të ketë një gjithëpërfshirje të suksesshme në këtë program dhe në të gjitha zërat e tij, që nga mobilitetet, projektet për ngritjen e kapaciteteve, projektet Jean Monnet dhe masterat e përbashkët.
Në aktivitet u prezantuan tri projekte të reja, të cilat do të implementohen tri vitet e ardhshme në UE. Projekti Jean Monet EU Enlargement and Acquis Adoption Burden: Albanian Challenges, me Koordinator Prof. as. dr. Arbër Gjeta. Projektet për ngritjen e kapaciteteve, VALEU-X project “ Virtual Albanian European Universities Exchange” dhe BKStone Higher Education–Enterprise platform for fostering, modernisation and sustainable growth in natural stone industry in Western Balkans, me Koordinator Prof. as. dr. Altin Idrizi.
Aktiviteti u përmbyll me lançimin e Revistës UErasmus+ Journal, një revistë e cila përmban dhe promovon historitë dhe eksperincat e studentëve të UE, pjesëmarrës në këto projekte. Revista gjendet online në faqen web: https://uniel.edu.al/bashkepunimi.../ue-journal