NËNSHKRUHET MEMORANDUM MIRËKUPTIMI MES UNIVERSITETIT “NËNË TEREZA” NË SHKUP DHE UNIVERSITETIT TË ELBASANIT “ALEKSANDËR XHUVANI”
Shkup, 13.04.2022 - Sot në ambientet e Rektoratit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u nënshkrua Memorandum mirëkuptimi me Universitetin publik të Elbasanit, që ka për qëllim vendosjen e themeleve të bashkëpunimit reciprok në interes të dy institucioneve.
Memorandumin e mirëkuptimit mes Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” e nënshkruan rektori në detyrë i UNT-së Prof.dr. Aziz Pollozhani, dhe rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.dr. Skender Topi, ndërsa i pranishëm ishte edhe rektori i zgjedhur i UNT-së Akad. Prof Dr. Izet Zeqiri.
Në bazë të këtij memorandumi synohet bashkëpunimi i gjerë akademik, shkencor dhe kulturor, si dhe të përcaktohen fushat për kërkimin shkencor e akademik, ndërsa palët u morën vesh të punojnë së bashku në të ardhmen, për të nxitur një kuadër bashkëpunimi me synimin për të fituar nga iniciativat dhe procedurat e punës së njëri-tjetrit.
Dy universitetet publike do të realizojnë shkëmbimin e librave, botimeve shkencore, programeve të studimit, projekteve akademike, informacionet për kurse, seminare, konferenca, ndërsa do të zhvillojnë projekte dhe publikime të përbashkëta.