Hapet ekspozita “Shkodra, familja, kultura, historia ime”
Pas Shkodrës dhe Prizrenit, ekspozita “Shkodra, familja, kultura, historia ime” erdhi në qytetin e Elbasanit, në Bibliotekën e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në një veprimtari të organizuar nga departamenti i gjuhësisë, me mbështetjen e rektoratit të UE-së, në datat 6 dhe 7 shkurt 2020.
"Shkodra, familja, kultura, historia ime" është ekspozita e tretë fotografike për kujtesën kolektive. Kjo ekspozitë i kushtohet jetës kulturore-artistike në Shkodër përpara vitit 1990 dhe në të morën pjesë 44 konkurrentë me 306 fotografi.
Produkt i konkursit të përvitshëm të shpallur nga Organizata për Planifikim të Qëndrueshëm Urban GO2, ekspozita realizohet përmes nxjerrjes nga arkivat familjare të fotografive të shkrepura përpara vitit 1990, bashkë me historitë që rrinë pas këtyre fotografive.
Ekspozita e parë u hap në vitin 2016 në Muzeun Historik të Shkodrës, Monument Kulture i kategorisë I. Ajo i kushtohej biçikletës dhe aty morën pjesë 26 konkurrentë me 66 fotografi.
Ekspozita e dytë (2018) kushtuar banesës shkodrane ishte një risi absolute, pasi për herë të parë një aktivitet zhvendosej nga qendra e qytetit të Shkodrës, për t'u mbajtur në një lagje ku nuk ishte zhvilluar ndonjë herë aktivitet kulturor. Oborri i shtëpisë së shek. XVIII, Monument Kulture i kategorisë I, mirëpriti 37 konkurrentë me 165 fotografi, ndërsa hajati i saj ishte kinemaja ku u shfaq filmi dokumentar "Njerëzit, Qyteti".
Në këto ditë ekspozita u vizitua jo vetëm nga studentë dhe pedagogë të universitetit, por edhe nxënës të shkollave të mesme, 9-vjeçare, edhe qytetarë të Elbasanit.
![Hapet ekspozita “Shkodra, familja, kultura, historia ime”, Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Hapet_ekspozita_Shkodra_familja_kultura_historia_ime-1.jpg)
![Hapet ekspozita “Shkodra, familja, kultura, historia ime”, Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Hapet_ekspozita_Shkodra_familja_kultura_historia_ime-2.jpg)
![Hapet ekspozita “Shkodra, familja, kultura, historia ime”, Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Hapet_ekspozita_Shkodra_familja_kultura_historia_ime-3.jpg)