110-vjetori i Normales, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” në simpoziumin ‘Përtej mitit”
Në kuadër të 110-vjetorit të themelimit të Shkollës Normale, Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe Arkivin Digjital, organizuan një simpozium jubilar me titull “Përtej mitit”.
Në këtë simpozium morën pjesë normalistë, studiues, pedagogë, deputetë, pushtetarë lokalë, personalitete të arsimit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut etj.
Në fjalën përshëndetëse Rektori i Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, prof. dr. Skender Topi, u shpreh ndër të tjera se “kur flasim për Normalen e Elbasanit, flasim për institucionin e parë shkencor të Shqipërisë dhe me një mësimdhënie të nivelit bashkëkohor”.
Ai e cilësoi atë si model qytetarie, atdhetarizmi dhe emancipimi kulturor. Normalja ishte një institucion i rëndësisë kombëtare që përgatiti mësues që u shpërndanë në mbarë trojet shqiptare”.
Tradita dhe qytetaria elbasanase për arsimin u ruajt edhe kur në qytet u themelua Instituti i Lartë Pedagogjik në vitin 1971 e më pas në vitin 1991, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, i cili është jo vetëm është pasues i Normales, por është një institucion elitar, i ndërkombëtarizuar, i cili ka ruajtur traditën drejt suksesit”, përfundoi prof. dr. Skender Topi.
![110-vjetori i Normales, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” në simpoziumin ‘Përtej mitit”, Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/110-vjetori_i_Normales-1.jpg)
![110-vjetori i Normales, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” në simpoziumin ‘Përtej mitit”, Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/110-vjetori_i_Normales-2.jpg)
Në këtë simpozium, Zëvendësrektori, prof. as. dr. Peçi Naqellari, mbajti kumtesën me titull “Normalja e Elbasanit dhe mjedisi universitar”. Kumtesa u mbajtën edhe nga prof. dr. Liman Varoshi, prof. as. dr. Majlinda Perriu, prof. as. dr.Teuta Toska etj.
Gjithashtu përshëndetën prof. Bajram Kosumi, Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Valter Memishaj nga Instituti i Albanologjisë, Henri Çili, administrator i Universitetit Europian të Tiranës, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Hektor Çiftja etj.
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, do të zhvillojë gjatë gjithë kësaj jave veprimtari në kuadër të 110-vjetorit të hapjes së Shkollës Normale.