Universiteti i Elbasanit i akordoi titullin “Honoris Causa” profesor Maurizio Giuliani.
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, përmes një ceremonie solemne në Senatin Akademik, ka akorduar titullin “Honoris Causa” për profesorin italian të Universitetit të L` Aquila, Maurizio Giuliani. Në fjalën e tij, në cilësinë e Kryetarit të Senatit Akademik, Rektori, prof. dr. Skender Topi, theksoi se “kjo ceremoni i dedikohet një mjeku, një profesori por mbi të gjitha një miku të këtij Universiteti. Universiteti i Elbasanit është Universitet i traditës e kulturës elbasanase, por mbi të gjitha një Universitet i suksesit. Bashkë me studentët ne jemi një trup i vetëm i cili bashkëvepron sinkron për të përmbushur misionin tonë, arsim të lartë cilësor e modern.”
Dy recensuesit prezantuan veprimtarinë akademike, shkencore si dhe bashkëpunimin mes dy institucioneve, Universitetit të Elbasanit dhe Universitetit të L`Aquila Itali.
Më pas Rektori, i ka dorëzuar prof. Maurizio Giuliani, titullin “Honoris Causa” me motivacionin:
“Për kontribut të veçantë në arsimin e lartë shqiptar dhe kërkimin shkencor lidhur me teknologjitë e reja në fushën e shkencave mjekësore-teknike”.
“Ju keni treguar të jeni vizionar, bashkëpunues, inovator por mbi të gjitha pjesë e pandashme e Universitetit të Elbasanit.”, citoi Rektori Topi.
Mjaft i emocionuar nga ky titull prof. Giuliani u shpreh se që kur ka shkelur në Shqipëri ka njohur një tokë të jashtëzakonshme me njerëz të mrekullueshëm. Ai tha se ndjehet mjaft i vlerësuar dhe krenar për këtë titull. Ai ka nënvizuar se lidhja mes Universitetit të L` Aquila dhe Universitetit të Elbasanit është e shkëlqyer dhe se meritë të padiskutueshme ka rektori Skender Topi. Ndër të tjera, prof. Giuliani deklaroi se do të vazhdojë të bëjë më të mirën për Shqipërinë.
Aktivitete në UE
Biblioteka
Njoftime
Kontakte