Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.Dr.Skënder Topi takon Rektorin e Akademisë së Formimit dhe Trajnimit të Mësuesve në Dillingen të Gjermanisë
Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.dr. Skënder Topi vizitoi Akademinë e Formimit dhe Trajnimit të mësuesve në Dillingen/ Gjermani me ftesë të Rektorit të Akademisë Dr. Christian Henzler. Në fokus të bisedës ishte vendosja e marrëdhënieve midis dy universiteteve, mundësia e financimit të pjesëmarrjes së stafit akademik dhe administrativ në kualifikimet dhe simpoziumet e organizuara nga Akademia, asistenca dhe mbështetja për krijimin e një qendre për kualifikimin e mësuesve në Universitetin e Elbasanit si dhe hartimi i një strategjie për trajnimin e mësuesve në detyrë, në fushat e shkencave sociale, shkencave humane dhe atyre të natyrës, si dhe në fushën e rritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore. Akademia për Kualifikimin e mësuesve në Dillingen, është institucioni qendror për kualifikim të personelit pedagogjik për të gjitha nivelet e shkollave në Republikën e Gjermanisë. Ajo ofron seminare dhe kurse të cilat mbështesin dhe sigurojnë rritjen e cilësisë së mësimdhënies, perfeksionimit të saj si dhe aplikimit të risive në fushën e mësimdhënies. Për këtë ajo bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të Landit te Bavarisë.Në këtë takim të dy rektorët shprehën gadishmërinë për bashkëpunim mes dy institucioneve dhe theksuan rëndësinë e krijimit të raporteve ndërinstitucionale, si e vetmja mënyrë për të ngritur nivelin e profesionistëve në fushën e edukimit. Rektori i Akademisë theksoi se e shikon Shqipërinë, vend kanditat për BE, si një partnere të rëndësishme në fushën e edukimit, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e arsimit të Lartë në Shqipëri.