Nis viti i ri akademik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”
Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit është zhvilluar ceremonia e nisjes së vitit të ri akademik 2015-2016. Përveç Rektorit Prof.Dr. Liman Varoshi, Zv. Rektorëve dhe dekanëve të këtij Universiteti, në ceremoni të pranishëm ishin edhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe Prefekti i Qarkut Arben Kamami.
Duke iu drejtuar studentëve të pranishëm në këtë ceremoni, Rektori Liman Varoshi ka theksuar edhe njëherë impenjimin e tij maksimal dhe të stafit që ai drejton, për të arritur qëllimin e një arsimimi sa më cilësor të studentëve. Ai ka theksuar se në këtë drejtim, Universiteti i Elbasanit ofron një staf akademik tepër të kualifikuar dhe ambiente tepër komode. Ai ka përmendur Bibliotekën Universitare, e cila përveç një numri tepër të madh të titujve të librave, ofron edhe lidhjen online me publikimet shkencore të Universitetit të Oksfordit. Rektori Liman Varoshi është shprehur i bindur se ata që e kanë zgjedhur Universitetin e Elbasanit për të vazhduar rrugën e tyre në fushën e dijes, nuk do të mbeten të zhgënjyer, përkundrazi do të arrijnë të kenë një diplomë tepër të vlefshme në tregun e punës në të ardhmen.
Në emër të autoriteteve vendore, kreu i Bashkisë së Elbasanit i ka ururar suksese studentëve dhe pedagogëve në nisjen e vitit të ri akademik. Ai ka theksuar se Universiteti është tepër i rëndësishëm për qytetin e Elbasanit, ndaj dhe mbështetja e Bashkisë në drejtim të ndihmës për një jetesë sa më cilësore të studentëve nuk do të mungojë.
Universiteti i Elbasanit numëron 5 fakultete në të cilat, në të gjitha ciklet e studimit studiojnë rreth 13 mijë studentë. Ky universitet ofron 39 programe studimi në ciklin e parë të studimit bachelor. Në ciklin e dytë ofron 27 programe të studimit në master profesional dhe 17 programe studimi në master shkencor. Ndërkohë Universiteti i Elbasanit ofron edhe ciklin e tretë të studimit të programeve doktorale, ku ai ofron doktoratura në albanologji, në profilet Gjuhësi dhe Histori.
![Nis viti i ri akademik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Nis_viti_i_ri_akademik_n_Universitetin_Aleksandr_Xhuvani-1.jpg)
![Nis viti i ri akademik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Nis_viti_i_ri_akademik_n_Universitetin_Aleksandr_Xhuvani-2.jpg)
![Nis viti i ri akademik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Uniel](/images/aktivitete-ne-ue/Nis_viti_i_ri_akademik_n_Universitetin_Aleksandr_Xhuvani-3.jpg)