Organizohet ne UE takimi: “Ngritja e kapaciteteve të universiteteve shqiptare për qeverisje të brendshme”
Më 16 Qershor 2015, në Universitetin “Aleksander Xhuvani”, Elbasan u zhvillua seminari me titull ” Ngritja e kapaciteteve të universiteteve shqiptare për qeverisje të brendshme”, organizuar nga Zyra Erasmus+ në Tiranë në bashkëpunim me Universitetin e Elbasanit. Në seminar morën pjesë rektorë, dekanë, anëtarë të stafeve akademike nga IAL-të e Tiranës, Korçës, Shkodrës etj, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe përfaqësues të Universiteteve të ndryshme të vendit.
Në fjalën e tij përshëndetëse rektori i Universitetit të Elbasanit, Prof. Dr. Liman Varoshi theksoi rëndësinë e këtij seminari dhe nënvizoi faktin se ngritja e kapaciteteve të universiteteve shqiptare është një çështje aktuale e cila meriton të vlerësohet maksimalisht dhe të jetë objekt i diskutimeve për zgjidhje adekuate.
Seminari trajtoi sfidat e situatës aktuale të qeverisjes duke filluar nga niveli i institucionit deri në njësinë bazë të departamentit, ndryshimet që sjell reforma dhe ligji i ri i arsimit të lartë, me qëllimin që të përcjellë zërin e personelit të IAL-ve në një dokument final me rekomandime për hartimin e akteve të ardhshme nënligjore.
Në këtë seminar mori pjesë dhe eksperti ndërkombëtar, Stephen Hagen, Profesor Emeritus, Zv/rektor për Menaxhimin dhe Qeverisjen në Qendrën Kombëtare të Kërkimit në Shën Petërburg, Zv/kancelar i Universitetit të Uellsit, në Britaninë e Madhe, Drejtor i Kërkimit, Biznesit dhe Inovacionit në Universitetin e Anglisë Perëndimore të Bristolit, etj. Ai prezantoi modelet më të suksesshme të qeverisjes në universitetet e vendeve më të zhvilluara evropiane, si dhe do të trajtoi aspektet kryesore të organizimit të brendshëm të departamentit.
Tematika të tjera të këtij seminari ishin ”Situata aktuale e qeverisjes së Insitucioneve të Arsimit të Lartë shqiptar nga Prof. Dr. Flamur Bidaj, pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës, “Zhvillime të mëtejshme të qeverisjes së Insitucioneve të Arsimit të Lartë në kuadër të reformës dhe ligjit për arsimin e lartë” nga Prof. dr. Anila Paparisto, pedagoge e Universitetit të Tiranës, etj.