Konferencë në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt
Në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt, Universiteti i Elbasanit, përkatësisht departamentet e Gjuhës dhe të Letërsi-gazetarisë, kanë organizuar një konferencë shkencore, në kujtim të kësaj figure të shquar të mendimit intelektual shqiptar. E ftuar në këtë konferencë ishte edhe bashkëshortja e Martin Camajt, Erika Camaj, e cila erdhi enkas për të qenë pjesë e saj, nga Gjermania.
Duke folur në hapje të kësaj konference Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Prof.Dr. Liman Varoshi, u ka uruar mirëseardhjen të pranishmëve dhe është ndalur në veprimtarinë dhe kompleksitetin e figurës së Martin Camajt në hapësirën mbarëshqiptare. “dija jonë, dija universitare dhe akademike, ka detyrime të mëdha ndaj figurës së Martin Camajt, shkrimtar e shkencëtar, albanolog e profesor, me kontribute të pashmangshme në historinë e gjuhës shqipe, të shkrimit dhe alfabetizmit të saj, në etnologji e antropologji, në studimin e dialekteve, të historisë së letërsisë kombëtare prej fillimeve deri tek bashkëkohësia, prej Mesharit të Gjon Buzukut dhe veprës së Bogdanit, deri tek Ismail Kadare”, ka thënë rektori Liman Varoshi gjatë fjalës së tij.
Ndërkohë Rektori Varoshi gjatë fjalës së tij ka theksuar edhe rëndëinë e veprës letrare të Martin Camajt, e cila prej 30 vjetësh i mungoi lexuesit shqiptar, për shkak të diktaturës, duke theksuar synimin e Universitetit të Elbasanit, që veprat e tij të studiohen në nivelet master, me qëllim specializimin e një brezi studiuesish të denjë për t’u marrë me interpretimin e saj.
Duke u ndalur në historinë e jetës së Martin Camajt, rektori Liman Varoshi ka thënë: “ Martin Camaj u largua nga Shqipëria kur pa se asaj po i shfaqej rreziku i totalitarizimit dhe i kontrollit prej lidershipit bolshevik botëror. Shqipëria zyrtare kurrë nuk ia hapi dyert, shtypi zyrtar kurrë nuk ia përmendi emrin. Gati një shysëm shekulli shkenca dhe kultura shqiptare, bënë sikur Martin Caman, personalitet dhe fenomen, nuk ekzistonte. Por Camaj, kurrë nuk e ngatërroi Shqipërinë zyrtare, me Shqipërinë vendlindje. Nuk qoftë edhe një rast të vetëm që ai të ketë përgojuar vendin e tij, ta ketë qortuar në sy të të huajve, të ketë ndarë veten prej saj. Si të thuash, Camaj e deshi vendin e tij me gjithë dhimbjet që po përjetonte”
Pas fjalës së Rektorit Prof.Dr. Liman Varoshi edhe akademik Rexhep Ismajli dhe Prof.Dr. Shaban Sinani, kanë vlerësuar gjatë fjalës së tyre, veprën dhe dimensionin intelektual të Martin Camajt, duke theksuar edhe njëherë faktin e rëndësisë së studimeve të tij në disa fusha, ku në secilën prej tyre, ai jo vetëm ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer, por një bazë të rëndësishme të fondit të mendimit intelektual mbarëshqiptar.
Ndërkohë për nder të veprës së tij dhe të aktit të bashkëshortes së tij, që një pjesë të mirë të bibliotekës së Martin Camajt, ia dhuroi bibliotekës së Universitetit të Elbasanit, një prej sallave të kësaj Biblioteke tashmë do të mbajë emrin “Martin Camaj”.
Martin Camaj lindi në Temal, të Dukagjinit në vitin 1927. Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe mbaron studimet në kolegjin jezuit “Xaverianum”. Camaj u bë pjesë e rezistencën antikomuniste pas vitit 1944 dhe në vitin 1948 arrin të arratiset nga Shqipëria për ti shpëtuar persekutimit. Fillimisht vendoset në Beograd, ku mbaron edhe studimet e larta në Universitetin e kryeqytetit jugosllav, në degën e filologjisë romake me specialitet gjuhë dhe letërsi italiane. Më pas vendoset ne Itali, ku nën drejtimin e Ernest Koliqit, në vitin 1960, mbron tezën e doktoraturës në Universitetin e Romës, me “Mesharin” e Gjon Buzukut. Në vitin 1960 shkon në Mynih të Gjermanisë, ku pas përfundimit të një kursi 10 mujor, fillon të japë mësim pranë Universitetit Ludwig-Maximilian. Pikërisht në Mynih ai do të kalonte gjithë jetën e tij deri sa ndërroi jetë në 12 mars të vitit 1992.
![Konferencë në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt](/images/studio_ne_ue/fakulteti_i_shkencave_humane/veprimtari/1_1.jpg)
![Konferencë në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt](/images/studio_ne_ue/fakulteti_i_shkencave_humane/veprimtari/2_1.jpg)
![Konferencë në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt](/images/studio_ne_ue/fakulteti_i_shkencave_humane/veprimtari/3_1.jpg)
![Konferencë në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt](/images/studio_ne_ue/fakulteti_i_shkencave_humane/veprimtari/4_1.jpg)
![Konferencë në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt](/images/studio_ne_ue/fakulteti_i_shkencave_humane/veprimtari/5_1.jpg)
![Konferencë në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt](/images/studio_ne_ue/fakulteti_i_shkencave_humane/veprimtari/6_1.jpg)
![Konferencë në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt](/images/studio_ne_ue/fakulteti_i_shkencave_humane/veprimtari/7.jpg)