Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë (NJSBC)
Organizimi
Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë ka në përbërje të saj personelin si vijon:
Përgjegjësi: veprimtaria e të cilit është e fokusuar në zbatimin e drejtëpërdrejtë të procedurave dhe standardeve të përcaktuara me ligj/akt nënligjor ose të hartuara nga institucioni i arsimit të lartë.
Dy specialistë: të cilët kryejnë punën brenda udhëzimeve të përgjithshme lidhur me objektivat dhe afatet e përfundimit të detyrave të caktuara nga përgjegjësi.
Funksionimi
Njësia e sigurimit të brendshëm të cilësisë vlerëson, periodikisht, rezultatet e veprimtarive mësimore dhe kërkimore-shkencore. Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë në fund të çdo semestri apo para sezonit të provimeve organizon pyetësorin institucional dhe pyetësorin vlerësues nga studentët për cilësinë e mësimdhënies për lëndët e çdo programi studimi në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.
Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë harton, në bashkëpunim me Komisionin e Përhershëm në Nivel Institucional për Garantimin e Standardeve të Cilësisë të Institucionit dhe Programeve të Studimit, raportin mbi rezultatet dhe gjetjet e pyetësorit institucional dhe pyetësorit për cilësinë e mësimdhënies.
NJSBC mbështet dhe ofron ekspertizë. Anëtarët e saj vizitojnë rregullisht çdo fakultet dhe çdo departament dhe ftohen nga ta që të ofrojnë ekspertizë në zhvillimin e proceseve përkatëse të sigurimit të cilësisë. Në veçanti, ekspertiza përqëndrohet në zbatimin e mekanizmave për sigurimin e cilësisë në mësimdhënie, vlerësim dhe përfshirjen e studentëve në procesin e të nxënit.
NJSBC bashkërendon komunikimin midis strukturave të ndryshme, veçanërisht kur procesi i delegohet fakulteteve ose kur ka një proces vlerësimi që është i organizuar nga Universiteti. Ky rol bashkërendues shtrihet në njësi të tjera në Universitet, kur procesi ka të bëjë me zhvillimin e personelit dhe mbledhjen/analizën e të dhënave institucionale.
NJSBC Interpreton detyrimet kombëtare dhe evropiane të sigurimit të cilësisë, në mënyrë që t’i përshtasë ato në kontekstin institucional. Kështu, anëtarët e NJSBC-së garantojnë që këto detyrime kombëtare dhe evropiane të njihen dhe të përfshihen nga universiteti.
NJSBC administron, organizon dhe përgatit vizita të vlerësimit të jashtëm ose fton ekspertë të jashtëm për të trajnuar stafin që merret me vlerësimin e brendshëm.