Historiku i Universitetit

Universiteti “A.Xhuvani” është institucion i rëndësishëm arsimor e shkencor në Republikën e Shqipërisë, një nga universitetet më në zë të vendit për përgatitjen e mësuesve, të specialistëve dhe studiuesve të rinj në fushat e tij të studimeve.

Historia e tij për afro 4 dekadash ka njohur arritje të dukshme në shumë fusha të veprimtarisë së procesit mësimor dhe kërkimor.

«Koncepti ynë për të ardhmen e Universitetit “A. Xhuvani” mbështetet jo thjesht në afërsinë e tij pranë tregut të punës, transaksioneve dhe sferës utilitare, por, pse jo, edhe i shkëputur prej tyre, pasi misioni i universiteteve nuk duhet të jetë vetëm që të prodhojë punëtorët dhe specialistët e fushave të ndryshme të kulturës dhe prodhimit, por edhe të formojë mbrojtës dhe sigurues të lirive e të drejtave shoqërore dhe qytetare në Shqipëri». 

(Prof.as.dr. Liman Varoshi, prof.dr. Roland Gjini)

 

 

NORMALJA DHE UNIVERSITETI

Normalja e Elbasanit, e hapur në vitin 1909, dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, parakuptojnë një bashkëmarrëdhënie të ngushtë, e cila nuk mund të konceptohet e vlerësohet pa konsideruar në mënyrë të ndërsjellë dy institucionet e sipërpërmendura.

Këto dy institucione të rëndësishme, që ndonëse ndryshojnë nga njëri-tjetri në aspektin kohor, strukturor e statusor, kanë një lidhje të brendshme organike të dukshme ndërmjet tyre, pasi kanë ruajtur historikisht të njëjtat funksione e kanë zbatuar detyra të njëjta.

 Me çeljen e kësaj shkolle Elbasani do të bëhej jo vetëm djepi i Normales, por, sipas përcaktimit të Luigj Gurakuqit, drejtorit të parë të Normales, edhe “djepi i mësimit dhe i diturisë kombëtare”. Përmbushja e kësaj dëshire është qëllimi që i kemi vënë vetes në këtë institucion, thirrja që do të jetë gjithnjë në qendër të veprimtarisë së sotme mësimore e kërkimore, por dhe vizioni i së ardhmes së universitetit tonë.

 Kjo traditë, këto vlera shumëdimensionale, ky terren tradicionalisht i përgatitur dhe i formësuar, do të çojnë natyrshëm në krijimin e një shtrati të sigurt, mbi të cilin do të fillojë jetën e do të hedhë shtat në vitin 1971 Instituti i Lartë Pedagogjik dhe pas afro dy dekadash Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit.

 UE “A.Xhuvani” është institucion i ngritur në statusin universitar mbi Institutin e Lartë Pedagogjik “A.Xhuvani” (ILP) të Elbasanit.

 ILP-ja, ky institucion i lartë arsimor, që ka përgatitur mësues për shkollën 8-vjeçare dhe të mesme, u ngrit më 1971 dhe ka funksionuar deri më 1991. I.L.P. u themelua duke u mbështetur në traditën e përgatitjes së mësuesve në shkollën Normale të Elbasanit, si dhe në përvojën e grumbulluar në dy filialet pararendëse të tij, një i Universitetit të Tiranës dhe tjetri i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, si dhe të trashëgimisë së veprimtarisë së gjerë shkencore e arsimore të mjaft studiuesve e mësuesve elbasanas.

Fillimisht ILP-ja ka kryer veprimtarinë e vet mësimore në katër degë të mësuesisë: gjuhë-letërsi, matematikë-fizikë, histori-gjeografi, biologji-kimi, në sistemin me dhe pa shkëputje nga puna, me kohëzgjatje trevjeçare; në degët inxhinieri ndërtimi, inxhinieri mekanike, ekonomi kontabël, ekonomi plan, si filiale të UT-së. Ky institucion zhvilloi veprimtari në filialet e tij të ngritura në qytetet Korçë, Fier dhe Berat.

 Në v. 1981 u hap dega e përgatitjes së mësuesve për katër klasat e para të shkollës 8-vjeçare, me kohëzgjatje studimi 3 vjet. Afati i studimeve në ILP më 1982 u shtri nga tre në katër vjet. Pranë tij kanë funksionuar pesë katedra:

 1. Katedra e gjuhës shqipe dhe letërsisë

 2. Katedra e histori-gjeografisë.

 3. Katedra e matematikë-fizikës

 4. Katedra e biologji-kimisë

 5. Katedra e lëndëve psiko-didaktike dhe e djathtësive.

 Drejtorë të ILP-së kanë qenë: dr. Vasil Kamami nga v. 1971 deri më 1984; dr. Hysen Shabanai nga v.1984 deri më 1990; prof.dr. Agron Tato nga v.1990 deri më 1992.

Në v. 1991, ILP “A.Xhuvani” fiton statusin e institucionit universitar, duke u emërtuar UE “A.Xhuvani”. Në UE mund të studiohet në sistemin me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme.

 Në UE “A.Xhuvani” në vitin 2011 funksionojnë:

 I. Fakulteti i Shkencave Humane, me programe studimi Bachelor, Master profesional dhe Master i shkencave në fushat e kërkimit të tij: gjuhë shqipe dhe të huaj (anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht), histori, gjeografi, gazetari.

II. Fakulteti i Shkencave të Natyrës, me programe studimi Bachelor, Master profesional dhe Master i shkencave në fushat e kërkimit të tij: biologji, kimi, botanikë, zoologji, mbrojtje mjedisi, matematikë, fizikë, teknologji e informacionit, informatikë, gjeometri, fizikë teorike e eksperimentale, infermieri.

III. Fakulteti i Shkencave të Edukimit, me programe studimi Bachelor, Master profesional në fushat e kërkimit të tij:  mësuesi për ciklin fillor (klasës I-IV të shkollës 0-vjeçare), edukatore për arsimin parashkollor, psikologji, filozofi, sociologji, edukim fizik dhe artistik

IV. Fakulteti Ekonomik, me programe studimi Bachelor, Master profesional në fushat e kërkimit të tij: administrim-biznes, financë-kontabilitet, ekonomia dhe e drejta.

Qysh nga themelimi i UE-së (1991) dhe në vijimësi punohet për krijimin e strukturave dhe institucioneve ndihmëse për procesin mësimor dhe veprimtarinë kërkimore-shkencore. Si kërkesa të natyrshme të ristrukturimit të UE-së dhe si ndihmëse në procesin e mësimdhënies janë konceptuar ngritja dhe vënia në funksion e njësive që mundësojnë lehtësitë akademike, si laboratorë dhe qendra kërkimore e shkencore.

 

REKTORËT E UE “A.XHUVANI”

 Nga v.1992 deri më 1996 - prof.dr. Mehmet Çeliku, rektori i parë i këtij universiteti, studiues i njohur i gjuhësisë shqiptare, autor i një sërë punimesh e botimesh shkencore dhe tekstesh universitare në këtë fushë;

 Nga v.1996-1997 - prof.as.dr. Bardhyl Mysai; rektor dhe rektor që nga.

 Nga v. 1997 deri më 2000 - prof.dr. Teuta Dilo

 Viti 2000 deri në vitin 2008 – prof.dr. Jani Dode

 Viti 2008 e në vijim – prof.as.dr. Liman Varoshi