Vazhdojnë projektet e përbashkëta me Universitetet Italiane

Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.Dr. Skender Topi, i shoqëruar nga Dekania e Fakultetit Ekonomik Prof.Asc.Dr.Imelda Sejdini, Dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit Prof.Asc.Dr. Valentina Haxhiymeri, Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike Prof.Asc. Dr. Shkëlqim Hidri si dhe shefja e Departamentit të Shkencave Sociale Prof.Asc. Dr. Elisabeta Osmanaj, kanë zhvilluar disa vizita zyrtare në disa universitete Shtetërore në Itali. Ndalesa e parë ka qenë në Universitetin e Barit, ku Rektori dhe delegacioni që e shoqëronte janë ndalur fillimisht në Fakultetin e Shkencave Politike. Gjatë takimit të zhvilluar me drejtues të këtij fakulteti është rënë dakord, për krijimin e një masteri të përbashkët shkencor për punonjësit social. Një pikë tjetër e disktuar në këtë takim ka qenë edhe ajo për njohjen e diplomës 3 vjeçare, të lëshuar nga Universiteti i Elbasanit, me qëllim që studentët e këtij universiteti të kënë mundësi të ndjekin studimet master në Universitetin e Barit. Njëkohësisht është dikutuar edhe për mundësitë e shkëmbimit të stafeve akademike, në lëndë dhe fusha të përbashkëta. 

Dekania e Fakultetit Ekonomik Prof.Asc. Dr. Imelda Sejdini ka zhvilluar një takim me Shefin e Departamentit të Shkencave Ekonomike në Universitetin e Barit, ku është diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe projeketeve të përbashkëta në fushën e shkencave ekonomike.

Me Universitetin e Barit  është duke u punuar për finalizimin e një programi doktoral të përbashkët në fushën e mjekësisë.

Po në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave është zhvilluar një takim edhe me administratorin dhe njësinë e vlerësimit të brendshëm në Rektoratin e Universitetit të Barit, takim në të cilin u propozuan ide konkrete bashkëpunimi në këtë fushë mes dy universiteteve.

Një tjetër takim që Rektori Skender Topi zhvilloi në Itali ishte edhe ai me Rektoren e Universitetit të Aquilas Prof. Paola Inverardi. Gjatë këtij takimi është diskuar në lidhje me konkretizimin e idesë për hapjen e një programi të përbashkët studimi mes dy universiteteve në fushën e Emergjencave Infiermeristike. Gjatë këtij takimi është vlerësuar edhe fakti se 3 doktorantë nga Universiteti i Elbasanit, kanë përfunduar me sukses vitin e parë të studimeve doktorale me vlerësime maksimale. Bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe mundësitë e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë dhe teknologjisë së informacionit.