Nis ne UE viti i ri akademik 2016-2017

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani të Elbasanit është zhvilluar ceremonia e nisjes së vitit të ri akademik 2016-2017. Përveç autoriteteve drejtuese të këtij Universiteti të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Bukurosh Stafa.

Duke iu drejtuar studentëve të pranishëm Rektori i Universitetit Prof.Dr. Skender Topi, u ka uruar mirëseardhjen, duke premtuar angazhimin maksimal të gjithë stafit që ai drejton, për një arsimim cilësor, me qëllim lëshimin e diplomave të vlefshme për tregun e punës.

Më tej duke u ndalur te bashkëpunimet me universitetet homologe, Rektori Skender Topi ka thënë:

“Unë dua t’ju deklaroj, se ne si Universitet, po bëjmë gjithë përpjekjet që studentët tanë të jenë studentë europianë. Për këtë qëllim vetëm në muajt e fundit, kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me universitete homologe në SHBA, Çikago, New York etj. dhe në Europë, me universitete në Spanjë, Itali, Portugali, Austri, Kroaci, Poloni, Çeki e vende të tjera. Në këto marrëveshje ajo që ne kemi kërkuar, ka qenë mbi të gjitha mobiliteti i pedagogëve dhe në mënyrë të veçantë i studentëve”.

Ndërkohë duke u ndalur te procesi i akreditimit të Universitetit të Elbasanit, Rektori Skender Topi duke iu drejtuar studentëve ka deklaruar:

“Ju vazhdoni studimet në një Universitet, që i është nënshtruar ndër të parët institucione të arsimit të lartë në Shqipëri, edhe procesit të akredimit. Ne jemi duke pritur raportin e plotë të agjencisëbritanike të akreditimit, me besimin dhe shpresën se ai raport, do të certifikojë arritjet dhe zhvillimin e këtij universiteti dhe do të jetë një element tjetër që do t’i shtojë peshën dhe rëndësinë diplomës që  ju do të merrni këtu”.

Mesazhe të mirëseardhjes për studentët kanë dhënë edhe Zv.Rektori i Universitetit Prof.As.Dr. Peçi Naqellari, ish Rektori Prof.Dr. Jani Dode dhe Prof.Dr. Roland Gjini.

 Po kështu studentët u përshëndetën edhe nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Bukurosh Stafa. 

 

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri Hidayet Bayraktar, uron Rektorin Skender Topi per detyrën e tij të re

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri  Hidayet Bayraktar, i shoqëruar nga zëvendësi i tij Sinan Cem Bas, zhvilloi një vizitë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.  Ai u prit në një takim nga Rektori i këtij Universiteti Prof.Dr. Skender Topi. Duke e falenderuar ambasadorin për vizitën e tij , Rektori Skender Topi ka shprehur gadishmërinë e tij dhe stafit të Universitetit, për të rritur më tej bashkëpunimet që Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, ka pasur dhe ka me ambasadën turke, por në mënyrë të veçantë me Universitet e shtetit turk, me dy prej të cilave Universiteti ka edhe marrëveshje bashkëpunimi. Rektori Skender Topi është shprehur se është i gatshëm që implementimi konkret i këtyre marrëveshjeve, të fillojë menjëherë me shkëmbimet e përbashkëta të stafeve akademike dhe studentëve, si dhe në drejtim të projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor, në fusha të caktuara.

Ambasadori Hidayet Bajraktar, duke uruar fillimisht Rektorin për detyrën e tij të re, ka shprehur gjithashtu kënaqësinë dhe gadishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Ai  mbështeti idenë e Rektorit Skender Topi, që bashkëpunimet me Universitetet turke, të fillojnë të bëhen konkrete dhe të prekshme për stafet akademike dhe studentët sa më shpejt të jetë e mundur.