UE marrëveshje bashkëpunimi me dy universitete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.dr.Skender Topi, ka zhvilluar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka nënshkuruar  marrëveshje bashkëpunimi dhe ka zhvilluar disa takime me drejtues dhe përfaqësues të 2 Universiteteve shtetërore. Ndalesa e parë e rektorit dhe pedagogëve që e shoqëronin ka qenë në Universitetin Verior të Ilinoisit(Northern Illiniois University), ku ai ka nënshkruar edhe marrëveshjen e re të bashkëpunimit mes dy institucioneve. Marrëveshja e nënshkruar nga Rektori Prof.Dr. Skender Topi si përfaqësues i Universitetit të Elbasanit dhe Dr. Lisa Freeman, Zv. Presidente Ekzekutive e Northern Illinois University, parashikon fillimin e marrëdhënieve intensive mes dy Universiteteve, të cilat do të konkretizohen në shkëmbimin e eksperiencave të ndërsjellta, mobilitetin e pedagogëve dhe studentëve të dy universiteteve si dhe mundësinë e projeketeve të përbashkëta kërkimore shkencore, të konkretizuara edhe në fushën e doktoratave. Rektori Skender Topi gjatë ceremonisë së zhvilluar ka theksuar edhe njëherë gatishmërinë e tij dhe gjithë strukturave drejtuese të Universitetit, për të punuar menjëherë për konkretizimin e marrëveshjes së nënshkruar. Me këtë rast ai ftoi një delegacion nga Universiteti amerikan që të vizitojë Universitetin e Elbasanit, për të parë nga afër jo vetëm ambientet e tij, por edhe për të takuar stafin  e për të diskutuar fushat konkrete të studimit e bashkëpunimit. 

Pas bisedës me Dr. Lisa Freeman Rektori Topi dhe stafi që e shoqëronte kanë takuar dhe kanë zhvilluar bisedime në kuadër të konkretizimit sa më të shpejtë të kësaj marrëveshjeje edhe drejtues të tjerë të niveleve të drejtimit të stafit akademik, si Dekanin e shkencave te Edukimit  Brad Bond, Dekanin e kolegjit të shëndetit dhe shkencave Humane Derryl Block,  Drejtorin e qendrës së Gjuhëve ELS  Dieter Zeschke, Shefen e Departamentit të Anglishtes , Kathleen Renk si dhe drejtues të tjerë të këtij Universiteti. 

Universiteti Verior i Illinoisit është një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në SHBA, i cili vendodhjen e tij e ka në qytetin e Çikagos.

Ndalesa e dytë e Rektorit Skender Topi dhe delegacionit që ai kryesonte ka qenë ajo në Kolegjin Hunter në Nju Jork. Në takimet e zhvilluara me drejtues të këtij Kolegji,  është rënë dakord që të përgatitet sa më shpejtë një marrëveshje bashkëpunimi, që do të nënshkruhet nga përfaqësuesit e këtyre dy institucioneve. Në këtë marrëveshje do të parashikohet mobiliteti i stafit akademik dhe studentëve, në të gjitha fushat e përbashkëta të studimit dhe në mënyrë të veçantë asistenca dhe mundësia e studimeve dhe kërkimit shkencor të stafit akademik edhe në fushën e dokoratave. Rektori Skender Topi edhe në takimet e zhvilluara në Nju Jork me Dr. Michael Middleton,  Dekan i shkencave të Edukimit dhe Prof. Jason Wirtz, shef i Departamentit te Kurikulës dhe Mësimdhënies, ashtu si në Çikago, ka falenderuar  bashkëbiseduesit për mikpritjen dhe gatishmërinë e treguar, për të konkretizuar bashkëpunimet dhe nisjen e shkëmbimeve intensive mes Universitetit të Elbasanit dhe Universiteve homologe amerikane.

Nis punën urdhri i punonjësit social

Ka nisur punën pas ligjit të miratuar dhe Udhëzimit të Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, urdhri i punonjësit social. Për prezantimin e këtij urdhri dhe hapave që do të ndiqen për institucionalizimin e tij, është zhvilluar në Universitetin e Elbasanit një work-shop, me studentë dhe punonjës social, Institucione shtetërore dhe shoqata joqeveritare që operojnë në fushën e shërbimeve sociale,  ku të pranishëm ishin edhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi dhe Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.Dr. Skender Topi. 

Duke folur përpara të pranishmëve rektori Prof.Dr. Skender Topi, ka theksuar rëndësinë e krijimit të urdhrit të punonjësit social në kuadër të profesioneve të rregulluara tashmë në vendin tonë. Më tej  ai u shpreh se:

“Diploma e marrë në Universitete do të jetë kriteri bazë që një aplikant duhet të ketë për të përfituar licencën e Urdhrit të Punonjësit Social, kështu që unë jam i lumtur që këtë proces ta nisim sot me këtë work-shop në ambjentet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Jam shpresë plotë se ky proces i rëndësishëm do të shkojë mirë dhe Universiteti ynë do të ofrojë  mbështetje të plotë në  jetësimin e urdhërit. Ne do të mbështesim dhe hapjen e info- point (pika informimi) pranë Departamentit të Shkencave Sociale, në mënyrë që të gjithë të interesuarit të informohen në mënyrën më të mirë të mundëshme”.

Ndërkohë  duke folur në këtë takim Ministri i Miqëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi e ka vënë theksi tek rëndësia e rolit të punonjësit social tek shoqëria shqiptare. Ai ka theksuar se ka ardhur momenti që roli i punonjësit social të vijë duke u rritur, sidomos në një fushë mjaft të rëndësishme të vendimarrjes sociale, siç janë vendimet për heqjen e të drejtës së prindërimit, personave që abuzojnë me fëmijët.