Rektori i UE skender Topi nderohet me çmimin Kampion i Telemjekësisë

Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.Dr.Skender Topi, priti në një takim Prof. Ronald C.Merrell,  Drejtor i Bordit Ekzekutiv të International Virtual e-Hospital Foundation. Prej më shumë se një viti Universiteti i Elbasanit dhe Internationa Virtual e-Health Foundation, përmes fondeve të USAID, po zbatojnë programin e integruar të telemjekësisë dhe shëndetit elektronik në Shqipëri. Ky program ka si qëllim forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve kërkimore-shkencore, akademike dhe mësimdhënëse në Universitetin e Elbasanit, specifikisht në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, përmes asistencës profesionale të siguaruar nga IVeH  Foundation. 

Nisur nga eksperienca e çmuar e këtij bashkëpunimi, Prof. Ronald  C. Merrell i dorëzoi Rektorit të Universitetit të Elbasanit Prof.Dr.Skënder Topi edhe një çmim të veçantë me titullin Kampion i Telemjekësisë për vitin 2016, me motivacionin, “Për kontributin dhe lidershipin e tij personal në inovacionin, zhvillimin dhe implementimin e programit të teleinfermieristikës , si dhe për mbështetjen në avancimin e fushës së telemjekësisë në Universitetin e Elbasanit dhe më gjerë”.

Nga ana e tij Prof.Dr Skender Topi ka falenderuar Prof. Ronald  C. Merrell, për kontributin e tij institucional në krijimin e qendrës së telemjekësisë në Universitetin e Elbasanit, nëpërmjet fondeve të Qeverisë së SHBA dhe popullit amerikan, si dhe kontributin e tij personal dhe të palodhur për të ndihmuar institucionet shqiptare dhe profesionistët e fushës së mjekësisë në një hapësirë tejet të gjerë dhe efikase siç është sot telemjekësia.  Rektori Skender Topi i ka kërkuar Prof.Merrell, shtimin e bashkëpunimit  në të ardhmen edhe në projekte të tjera, që do të jenë të vlefshëm për studentët shqiptarë të infiermerisë dhe mjekësisë, por edhe për profesionistët, të cilët tashmë janë pjesë e sistemit shëndetësor në Elbasan dhe më gjerë. 

Më pas Prof. Skender Topi dhe Prof. Ronald  C. Merrell, kanë zhvilluar një takim me stafin akademik të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike dhe me studentë të këtij Fakulteti, ku është folur në lidhje me zhvillimet më të fundit në fushën e telemjekësisë sot në botë.

Prof. Ronald C. Merrell është profesor Surgery në Virginia Commonwealth University (VCU).  Nga viti 1999-2003 ai ka qenë drejtor i klinikës VCU Health System dhe Telemedicine Program. Gjithashtu gjatë karrierës së tij, Prof.Merrell ka qenë edhe drejtues i grupit të profesorëve dhe Kryetar i Bordit të Kirurgëve në Universitetin Yale në SHBA.

 

Ambasadori i Shtetit të Kuvajtit, vizitë në Universitetin e Elbasanit

Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit Prof.Dr. Skender Topi, priti në një takim Ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri zotin Fayez Mishari Aljasim. Fillimisht Rektori Skender Topi i uroi ambasadorit mirëseardhjen në Universitetin e Elbasanit, ndërkohë që nga ana e tij ambasadori ka falenderuar Rektorin për mikpritjen. 

Gjatë këtij takimi të dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord për të rritur bashkëpunimin mes tyre. Në këtë kuadër Universiteti i Elbasanit, mund të nisë së shpejti marrëdhëniet e bashkëpunimit me Universitetin Shtetëror të Kuvajtit, ku është lënë e hapur mundësia për të vendosur se cilat do të jenë fushat konkrete të marrëdhënieve të ndërsjellta. Ndërkohë nga ana e tij Ambasadori Fayez Mishari Aljasim, ka premtuar edhe gjetjen e mundësive për financimin e projekteve kërkimore-shkencore  të Universitetit të Elbasanit, të cilat kanë nevojë për mbështetje financiare.

Si Rektori i Universitetit Prof.Dr. Skender Topi, ashtu edhe ambasadori i Kuvajtit të Shqipëri Fayez Mishari Aljasim, kanë shprehur gadishmërinë, për të punuar në konkretizim e inisiativave të diskutuara në këtë takim.