Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes universitetit të Elbasanit dhe atij të Barit në Itali

Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.Dr. Skënder Topi dhe Rektori i Universitetit të Barit në Itali Prof.Antonio Felice Uricchio, nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy insitucioneve që ata përfaqësojnë. Fusha e kërkimit të përbashkët shkencor dhe mësimdhënia,  të konkretizuara edhe në programe të përbashkëta studimi, do të jenë në qendër të kësaj marrëveshjeje.  

Kjo marrëveshje do të ndiqet dhe konkretizohet nga afër nga stafet e dy Universiteteve, ku nga pala italiane, koordinator i saj do të jetë Prof. Gaetano Dammacco, përgjegjës i fushës së bashkëpunimit euroballkanike në Universitetin e Barit, i cili ka qenë gjithashtu i pranishëm në pritjen e rezervuar me këtë rast, Rektorit të Universitetit të Elbasanit Prof.Dr. Skënder Topi. 

Nga ana e tij vetë Rektori Topi, ka vlerësuar si mjfat të rëndësishme jo vetëm marrëveshjen konkrete, por edhe nisjen e një veprimtarie të gjerë  të Universitetit të Elbasanit, në drejtim të rritjes së bashkëpunimit me Universiteteve homologe në Europë, Ballkan dhe në vende të tjera. 

   

Zhvillohet mbledhja e parë e Senatit Akademik të UE

Senati Akademik i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë të konstituimit. Në fillim të këtij takimi është lexuar vendimi i shpalljes fitues të garës për anëtarë të senatit nga ana e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve pranë Universitetit të Elbasanit.

Duke iu drejtuar anëtarëve të senatit të pranishëm në këtë mbledhje, Rektori i Universitetit Prof.Dr.Skënder Topi, njëkohësisht kryetar i këtij organi të lartë, ka theksuar se sfidat që ka përpara Senati Akademik dhe gjithë Universiteti i Elbasanit janë të shumta dhe të mëdha. Ai ka theksuar se përmbyllja me sukses e proçesit të akreditimit të Universitetit,  dhe kthimi i tij në një qendër të rëndësishme dhe të fuqishme kërkimore-shkencore do të jenë objekt i punës në të ardhmen e afërt.

 Njëkohësisht Senati Akademik i UE ka miratuar unanimisht propozimet e Rektorit për emërimin në pozicionin e Zv.Rektorit të Universitetit të Prof.Asc.Dr.  Peçi Naqellari dhe të Prof.Asc.Dr.  Altin Idrizi.