Zhvillohet mbledhja e parë e Senatit Akademik të UE

Senati Akademik i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë të konstituimit. Në fillim të këtij takimi është lexuar vendimi i shpalljes fitues të garës për anëtarë të senatit nga ana e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve pranë Universitetit të Elbasanit.

Duke iu drejtuar anëtarëve të senatit të pranishëm në këtë mbledhje, Rektori i Universitetit Prof.Dr.Skënder Topi, njëkohësisht kryetar i këtij organi të lartë, ka theksuar se sfidat që ka përpara Senati Akademik dhe gjithë Universiteti i Elbasanit janë të shumta dhe të mëdha. Ai ka theksuar se përmbyllja me sukses e proçesit të akreditimit të Universitetit,  dhe kthimi i tij në një qendër të rëndësishme dhe të fuqishme kërkimore-shkencore do të jenë objekt i punës në të ardhmen e afërt.

 Njëkohësisht Senati Akademik i UE ka miratuar unanimisht propozimet e Rektorit për emërimin në pozicionin e Zv.Rektorit të Universitetit të Prof.Asc.Dr.  Peçi Naqellari dhe të Prof.Asc.Dr.  Altin Idrizi. 

 

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi takim në Universitetin e Elbasanit

Në kuadër të diskutimit të programit për për rininë dhe të aktiviteteve me rastin e 25 vjetorit të ditës së rinisë, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi ka zhvilluar një takim me studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Duke i uruar mirëseardhjen në ambientet e këtij Universiteti Ministrit Blendi Klosi, Zv.Rektorja e Institucionit Prof.Asc.Dr. Imelda Sejdini, ka ftuar studentët që të jenë aktivë në bashkëbisedim dhe të diskutojnë mbi problematikat që ata i shqetësojnë dhe të ardhmen e tyre, duke theksuar se ky është edhe qëllimi i organizimit të takimit.

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi  në fjalën e tij , ka theksuar se jo më kot fillimi i aktiviteteve me rastin e 25 vjetorit të festës së Rinisë, është përzgjedhur të bëhet në qytetin e Elbasanit, një qendër e madhe e zhvillimit të kulturës dhe arsimit mbarëkombëtar. Duke u ndalur tek dita e rinisë Ministri Blendi Klosi ka theksuar se 25 vjet më parë, të rinjtë e asaj kohe teksa u ngritën mbi diktaturën kishin një ëndërr, ta bënin Shqipërinë si gjithë Europa.  Sipas tij në atë kohë pritshmëritë ishin më të mëdha dhe askush nuk besonte se proçesi i shndërrimit dhe zhvillimit të Shqipërisë, do të ishte kaq i gjatë. Sot më shumë se kurrë ka theksuar Ministri Klosi, ne kemi nevojë për energjitë dhe punën e të rinjve për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit dhe transformimit të vendit.

 Takimi ka vazhduar më pas me pyetje dhe bashkëbisedim mes studentëve të pranishëm dhe Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi.