Nis punën urdhri i punonjësit social

Ka nisur punën pas ligjit të miratuar dhe Udhëzimit të Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, urdhri i punonjësit social. Për prezantimin e këtij urdhri dhe hapave që do të ndiqen për institucionalizimin e tij, është zhvilluar në Universitetin e Elbasanit një work-shop, me studentë dhe punonjës social, Institucione shtetërore dhe shoqata joqeveritare që operojnë në fushën e shërbimeve sociale,  ku të pranishëm ishin edhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi dhe Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.Dr. Skender Topi. 

Duke folur përpara të pranishmëve rektori Prof.Dr. Skender Topi, ka theksuar rëndësinë e krijimit të urdhrit të punonjësit social në kuadër të profesioneve të rregulluara tashmë në vendin tonë. Më tej  ai u shpreh se:

“Diploma e marrë në Universitete do të jetë kriteri bazë që një aplikant duhet të ketë për të përfituar licencën e Urdhrit të Punonjësit Social, kështu që unë jam i lumtur që këtë proces ta nisim sot me këtë work-shop në ambjentet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Jam shpresë plotë se ky proces i rëndësishëm do të shkojë mirë dhe Universiteti ynë do të ofrojë  mbështetje të plotë në  jetësimin e urdhërit. Ne do të mbështesim dhe hapjen e info- point (pika informimi) pranë Departamentit të Shkencave Sociale, në mënyrë që të gjithë të interesuarit të informohen në mënyrën më të mirë të mundëshme”.

Ndërkohë  duke folur në këtë takim Ministri i Miqëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi e ka vënë theksi tek rëndësia e rolit të punonjësit social tek shoqëria shqiptare. Ai ka theksuar se ka ardhur momenti që roli i punonjësit social të vijë duke u rritur, sidomos në një fushë mjaft të rëndësishme të vendimarrjes sociale, siç janë vendimet për heqjen e të drejtës së prindërimit, personave që abuzojnë me fëmijët. 

Nis ne UE viti i ri akademik 2016-2017

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani të Elbasanit është zhvilluar ceremonia e nisjes së vitit të ri akademik 2016-2017. Përveç autoriteteve drejtuese të këtij Universiteti të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Bukurosh Stafa.

Duke iu drejtuar studentëve të pranishëm Rektori i Universitetit Prof.Dr. Skender Topi, u ka uruar mirëseardhjen, duke premtuar angazhimin maksimal të gjithë stafit që ai drejton, për një arsimim cilësor, me qëllim lëshimin e diplomave të vlefshme për tregun e punës.

Më tej duke u ndalur te bashkëpunimet me universitetet homologe, Rektori Skender Topi ka thënë:

“Unë dua t’ju deklaroj, se ne si Universitet, po bëjmë gjithë përpjekjet që studentët tanë të jenë studentë europianë. Për këtë qëllim vetëm në muajt e fundit, kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me universitete homologe në SHBA, Çikago, New York etj. dhe në Europë, me universitete në Spanjë, Itali, Portugali, Austri, Kroaci, Poloni, Çeki e vende të tjera. Në këto marrëveshje ajo që ne kemi kërkuar, ka qenë mbi të gjitha mobiliteti i pedagogëve dhe në mënyrë të veçantë i studentëve”.

Ndërkohë duke u ndalur te procesi i akreditimit të Universitetit të Elbasanit, Rektori Skender Topi duke iu drejtuar studentëve ka deklaruar:

“Ju vazhdoni studimet në një Universitet, që i është nënshtruar ndër të parët institucione të arsimit të lartë në Shqipëri, edhe procesit të akredimit. Ne jemi duke pritur raportin e plotë të agjencisëbritanike të akreditimit, me besimin dhe shpresën se ai raport, do të certifikojë arritjet dhe zhvillimin e këtij universiteti dhe do të jetë një element tjetër që do t’i shtojë peshën dhe rëndësinë diplomës që  ju do të merrni këtu”.

Mesazhe të mirëseardhjes për studentët kanë dhënë edhe Zv.Rektori i Universitetit Prof.As.Dr. Peçi Naqellari, ish Rektori Prof.Dr. Jani Dode dhe Prof.Dr. Roland Gjini.

 Po kështu studentët u përshëndetën edhe nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Bukurosh Stafa.