Parlamentarja suedeze takime dhe leksion të hapur në Universitetin e Elbasanit

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Suedisë për çështjet me BE Asa Romson, zhvilloi një vizitë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Fillimisht ajo u prit në një takim nga Rektori i Universitetit Prof.Dr.Skender Topi. Duke i uruar mirëseardhjen në Universitetin e Elbasanit, Prof. Topi ka folur me parlamentaren Romson, në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe në mënyrë të veçantë në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit universitar. Në këtë drejtim Rektori  ka kërkuar edhe mbështetjen e zonjës Romson, në mundësimin e kontakteve dhe projekteve me interes të përbashkët, kryesisht në fushën e mjedisit. Kjo edhe për faktin se parlamentarja Romson, është anëtare e Partisë së Gjelbër Suedeze si dhe ka mbajtur deri para pak kohësh, postin e Zv.Kryeministres dhe Ministres për Klimën dhe Mjedisin në Suedi. Rektori ka theksuar se problemet e mjedisit në qytetin dhe rajonin e Elbasanit, vazhdojnë të mbeten të mëdha dhe përballja me këto probleme, do të ishte më e lehtë dhe efikase, nëse do të kishte projekte të përbashkëta dhe mbështetje nga një vend si Suedia, që axhendën e mjedisit e ka pjesë themelore të politikbërjes. Parlamentarja Asa Romson, premtoi mbështetjen e saj në këtë drejtim, duke theksuar se do të bëjë të mundur menjëherë lidhjen e kontakteve mes drejtorisë së marrëdhënieve me jashtë të Universitetit, me ambasadën e Suedisë në Tiranë dhe me universitetet suedeze.

 

Më pas parlamentarja suedeze Romson e shoqëruar edhe nga Dekani i Shkencave të Natyrës Prof.Dr. Sotir Mali, ka zhvilluar një leksion të hapur me studentët e këtij fakulteti me temë mbi"Mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm në agjendën e BE-së - perspektivat e një ish-ministreje të gjelbër nga Suedia". Edhe gjatë këtij leksioni të hapur zonja Romson, ka vënë theksin në rëndësinë e axhendës mjedisore për një të ardhme të sigurtë të brezave të tanishëm dhe atyre që do të vijnë.