Kryeministri Edi Rama vizitë në Universitetin e Elbasanit

Kryeministri i vendit Edi Rama i shoqëruar edhe nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, kanë zhvilluar një vizitë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Fillimisht ata janë pritur në një takim nga Rektori i Universitetit Prof.Dr. Skender Topi, takim në të cilin janë diskutuar disa prej problematikave me të cilat haset Universiteti, ku është kërkuar mbështetja e Kryeministrit dhe Ministres së Arsimit. Më pas Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një diskutim të hapur me pedagogë dhe studentë të Universitetit. Duke hapur këtë takim Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.dr. Skender Topi, i ka uruar mirëserardhjen Kryministrit Edi Rama. Rektori është ndalur në rëndësinë e implementimit të Ligjit të ri të Arsimit të Lartë, i cili përbën një sfidë kryesore për institucionin që ai drejton në shumë drejtime.më tej duke iu referuar proceseve te zhvillimit të Universitetit gjatë kësaj periudhe kohe, Prof.Dr. Skender Topi ka theksuar se: “Ne ishim ndër institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri që iu nënshtruan procesit të vlerësimit të jashtëm (akreditimit) institucional të Universiteteve, me Agjencinë Britanike të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (QAA) e kontraktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Më lejoni ta quaj këtë pa hezitim si një moment historik. E kam këtë bindje pasi për herë të parë institucionet arsimore shqiptare, u ballafaquan me kërkesat dhe me standardet e njëjta me universitetet homologe europiane. Ky proces na dha mundësinë të kuptojmë se ku jemi, ҫfarë duhet të përmirёsojmë dhe ҫfarë duhet të bëjmë në të ardhmen, me qëllim që studentët tanë të kenë në dorë një diplomë që vlen, një diplomë që buron nga një kurrikul e dije cilësore, nga një staf i kualifkuar dhe nga një punë kërkimore e ҫertifikuar.”

Ndërkohë gjatë fjalës së tij fillimisht Kryeministri vlerësoi Universitetin e Elbasanit për kalimin me sukses të procesit te vlerësimit të jashtëm institucional të kryer nga agjensia britanike. Ai gjithashtu premtoi përpara të pranishmëve, se qeveria do të mundësojë financimin e ndërtimit të godinës së re të Fakultetit të Shkencave Humane, një kërkesë kjo e paraqitur nga Rektori Skender Topi, gjatë takimit të zhvilluar në zyrën e këtij të fundit. Gjithashtu Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar ligjin e ri të Arsimit të Lartë, i cili sipas tij hedh themelet dhe konsolidon një sistem në qendër të të cilit është cilësia e studentëve dhe e diplomës së shkollës së lartë. 

Më pas Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, iu janë përgjigjur edhe pyetjeve të bëra nga auditori nga ana e studentëve dhe pedagogëve të Universitetit.