Ambasadori i Shtetit të Kuvajtit, vizitë në Universitetin e Elbasanit

Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit Prof.Dr. Skender Topi, priti në një takim Ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri zotin Fayez Mishari Aljasim. Fillimisht Rektori Skender Topi i uroi ambasadorit mirëseardhjen në Universitetin e Elbasanit, ndërkohë që nga ana e tij ambasadori ka falenderuar Rektorin për mikpritjen. 

Gjatë këtij takimi të dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord për të rritur bashkëpunimin mes tyre. Në këtë kuadër Universiteti i Elbasanit, mund të nisë së shpejti marrëdhëniet e bashkëpunimit me Universitetin Shtetëror të Kuvajtit, ku është lënë e hapur mundësia për të vendosur se cilat do të jenë fushat konkrete të marrëdhënieve të ndërsjellta. Ndërkohë nga ana e tij Ambasadori Fayez Mishari Aljasim, ka premtuar edhe gjetjen e mundësive për financimin e projekteve kërkimore-shkencore  të Universitetit të Elbasanit, të cilat kanë nevojë për mbështetje financiare.

Si Rektori i Universitetit Prof.Dr. Skender Topi, ashtu edhe ambasadori i Kuvajtit të Shqipëri Fayez Mishari Aljasim, kanë shprehur gadishmërinë, për të punuar në konkretizim e inisiativave të diskutuara në këtë takim.