Zhvillohet Konferenca Ndërkombëtare “Letërsia dhe Kultura Arbëreshe”

Departamenti i letërsi-gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin e Elbasanit ka organizuar konferencën ndërkombëtare me temë “Letërsia dhe kultura arbëreshe”. Pjesë e kësaj conference kanë qenë të ftuar të shumtë, studiues nga të gjitha trevat shqiptare dhe jo vetëm, dhe në mënyrë të veçantë dy studiuesit e shquar arbëreshë Matteo Mandala dhe Francesko Altimari. Konferenca hap siparin e gjithë aktiviteve shkencore që zhvillohen në Shqipëri në kuadër të vitit deradian, për nder të 200 vjetorit të lindjes së rilindasit të shquar shqiptaro-arbëresh Jeronim De Rada dhe përkëtë qëllim pjesë e konferencës ka qenë edhe Zv.Ministri i Kulturës Zef Çuni. Duke I uruar mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.Dr . Liman Varoshi theksoi rëndësinë e konferencës e cila në qendër ka studimet në lidhje me figurën e Jeronim De Radës. 

“ Jeronim De Rada është emblemë e Rilindjes sonë Kombëtarë, emblem e një epoke, është figura ku kovergojnë të gjitha qendrat e zhvillimit të mendimit të lirë shqiptar”, ka theksuar Prof.Dr Liman Varoshi gjatë fjalës së tij. Ai ka theksuar se rreth kësaj figure të shquar janë bashkuar të gjithë rilindasit e tjerë të epokës dhe studiuesit e tanishëm në perëndim apo në lindje. 

Edhe Zv.Ministri i Kulturës Zef Çuni ka vlerësuar maksimalisht figurën e Jeronim De Radës, ndërkohë që kreu i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini i pranishëm në ceremoninë e hapjes së koferencës, ka përgëzuar stafin akademik të Universitetit për organizimin e konferencave të tilla. 

Ndërkohë për të gjithë të pranishmit me mjaft interes janë ndjekur kumtesat shkencore të dy Profesorëve arbëreshë, Matteo Mandala dhe Francesko Altimari, të cilët me prezantimet e tyre kanë sjellë të reja të mëtejshme, rreth aktivitetit të Jeronim De Radës por edhe të gjithë komunitetit arbëresh në Itali, në drejtim të letërsisë dhe kulturës shqiptare në të shkuarën. 

Zhvillohet Konferenca Ndërkombëtare “ Plurilingualizimi në arsimin e lartë”

Departamenti i Gjuhëve angleze dhe gjermane, pranë Fakultetit të Shkencave Humane, në Universitetin e Elbasanit ka zhvilluar konferencën ndërkombëtare “Plurilingualizmi në Arsimin e lartë”, me pjesmarrjen e studiuesve shkencore nga brenda dhe jashtë vendit.  

Kjo konferencë ka përkuar edhe me 20 vjetorin e hapjes së degës së gjuhës angleze pranë këtij universiteti. Në ceremoninë e hapjes së koferencës, përveç rektorit të Universitetit Prof.Dr.Liman Varoshi dhe drejtuesve të tjerë të tij, kanë qenë të pranishëm edhe Zonja Valerie O’Brien  Drejtoreshë e Zurës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë,  Zonja Aida Bërxolli Drejtoreshë e Këshillit Britanik në Shqipëri, Zoti Earl Wall Drejtor i Përgjithshëm i Korpusit të Paqes në Shqipëri, Zoti Agim Leka Këshilltar i Ministres së Arsimit dhe Sportit si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Duke folur përpara të pranishmëve Rektori i Universitetit Prof.Dr.Liman Varoshi u ka uruar mirëseardhjen të ftuarve dhe ka theksuar se kërkimi shkencor dhe konferenca të tilla që i shërbejnë këtij kërkimi janë në qendër të punës së Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, për ta kthyer këtë institucion në një ambientet të vërtetë universitar. Ai gjithashtu theksoi se gjuhët e huaja pranë këtij universiteti, janë ndër programet e studimit të cilat kanë ecur denjësisht në respekt të traditës së Universitetit të Elbasanit, në degët e mësuesisë. 

Pas përshëndetjes edhe nga ana e të ftuarve të tjerë, Konferenca ka zhvilluar punimet e saj për dy ditë me rradhë.

 

 

Veprimtari

Në kuadrin e veprimtarive të Departamentit të Gjuhëve Angleze dhe Gjermane të UE-së, si dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë në këtë Universitet u organizua më datë 18.04.2014 shfaqja e filmit dokumentar „Martin Camaj, i papërsëritshëm“, kushtuar personalitetit të Martin Camajt, si përfaqësues i kulturës dhe letërsisë shqiptare në mërgim gjatë gjysmës së dytë të shek. XX. Në këtë shfaqje ishin të pranishëm studentë si edhe shumë njohës dhe dashamirës të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Premiera e këtij filmi dokumentar, e realizuar prej një ekipi televiziv, nën drejtimin e gazetares dhe regjisores së njohur Tefta Radi, është shfaqur me shumë sukses në Tiranë, në sallën UNESCO të Muzeut Kombëtar, si dhe në Shkodër sallën e madhe të rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku zonjës Erika Camaj ju dorëzua prej kryetarit të bashkisë së qytetit të Shkodrës edhe dëshmia e nderimit të Martin Camajt si “Qytetar Nderi“ i Shkodrës (pas vdekjes).

Aktivitet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit

Dita ndërkombëtare e librit është përkujtuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani “ të Elbasanit me një aktivitet të organizuar nga Departamentet e Gjuhës dhe të Letërsi-Gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Humane. Pjesë e këtij aktiviteti ka qenë prezantimi i prodhimtarisë intelektuale në fushën e botimeve dhe të kërkimit shkencor të pedagogëve të këtij Universiteti, të cilat janë ekspozuar në një ambient në hollin kryesor të tij.

Ndërkohë më pas me pjesmarrjen e shumë studentëve, është organizuar një ceremony, ku të pranishëm kanë qenë drejtuesit e departamenteve që organizuar këtë veprimtari  Prof. As.Dr. Elvira Lumi dhe Prof.As.Dr. Albert Riska,  dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.Dr. Roland Gjini, por edhe Rektori I Universitetit Prof.Dr. Liman Varoshi.

Rektori Varoshi duke vlerësuar këtë ditë të shënuar, ka theksuar se Universiteti i Elbasanit me shumë botime prestigjoze të shumë pedagogëve të tij, paraqitet dinjitoz, në tregun e botimeve shkencore intelektuale të vendit tonë por jo vetëm. Ai ka theksuar se universiteti do të mbështesë fuqishëm çdo produkt të mirëfilltë intelektual të stafit të tij, i cili synon të çojë përpara kërkimin shkencor. Ndërkohë duke iu drejtuar studentëve ai u ka bërë thirrje të jenë sa më pranë librit, sepse vetëm kështu do të mund të arrijnë rezultatet e dëshiruara për veten në fushën e studeimeve dhe më tej në fushën e jetës. Ai gjithashtu ka ftuar studentët që të jenë sa më të pranishëm në ambientet e bibliotekës së Universitetit, e cila ofron për ta jo vetëm shumë tituj librash, por edhe një akses të plotë në bibliotekën dixhitale.

Edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.Dr Roland Gjini u ka bërë thirrje studentëve të jenë sa më afër librit, duke theksuar se vetëm kështu ata do të kenë potencialin e duhur kulturor e intelektual, për të qenë profesionistë të zotë e të denjë në të ardhmen.

 

Përpara studentëve kanë folur edhe dy autorë librash, pjestarë të stafit akademik të Universitetit, Prof.As.Dr Kujtim Bevapi si dhe autori i librave të njohur për fëmijë Astrit Bishqemi. 

 

 

Zëvendës Ambasadori i SHBA në Tiranë vizitë në Universitetin e Elbasanit

Henry V. Jardine,  zëvendës ambasador i  SHBA në Tiranë, ka qenë i pranishëm në një vititë në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, në kuadër të takimeve që ai pati në qytet me vullnetarë të korpusit të paqes. Ai u prit fillimisht nga Rektori i Universitetit, Prof.Dr. Liman Varoshi, i cili pasi i uroi mirëseardhjen diplomatit amerikan, i paraqiti atij një pasqyrë të Universitetit të Elbasanit, një prej institucioneve të arsimit të lartë më të rëndësishëm në Shqipëri. Gjithashtu gjatë këtij takimi Rektori  Liman Varoshi, ka theksuar edhe bashkëpunimin e Universitetit, me vullnetarë të korpusit të paqes në Shqipëri, një pjesë e të cilëve kanë qenë pjesë e stafeve mësimdhënëse të këtij institucioni, gjatë periudhës së tyre të qëndrimit në vendin tonë. Zv.Ambasadori Henry V. Jardinë nga ana e tij ka falenderuar për mikëpritjen, si dhe për mbështetjen që Universiteti i Elbasanit i jep vullnetarëve të Korpusit të Paqes, që tashmë prej vitesh janë të pranishëm në këtë qytet.

 Më pas Zv. Ambasadori Jardine i shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.Dr. Roland Gjini dhe shefja e departamentit të gjuhëve angleze dhe gjermane Dr. Laureta Vavla, ka zhvilluar një takim me pedagogë dhe studentë të degës së gjuhës angleze në Universitet. Duke iu drejtuar studentëve ai u ka bërë atyre një pasqyrë të shërbimeve që ofron ambasada e SHBA në Tiranë, duke theksuar mbi të gjitha programet e bashkëpunimit në fushën e arsimit që kjo ambasadë ofron, duke krijuar lidhje me institucione të rëndësishme arsimore në SHBA. 

 

Vizitë e atasheut kulturor të Ambasadës Gjermane zj. Christiane Wolters dhe Drejtueses së Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë, znj. Petra Behlke-Campos, në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan

Më datë 24 mars 2014, atasheu kulturor i Ambasadës Gjermane në Tiranë, zj. Christiane Wolters dhe drejtuesja e Qendrës së Gjermanishtes në Tiranë, zj. Petra Behlke-Campos, vizituan Universitetin e Elbasanit. Qëllimi i vizitës ishte njohja me degën e gjuhës gjermane, situatën dhe perspektivat e kësaj dege në Universitetin e Elbasanit. Vizita u shoqërua me takime të rëndësishme me përfaqësuesit e Universitetit të Elbasanit.

Pas një prezantimi të Universitetit nga rektori  Prof. Dr. Liman Varoshi, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit me Ambasadën Gjermane dhe Qendrën e Gjuhës Gjermane në Tiranë, si dhe me institucione homologe në Gjermani. 

Lidhur me perspektivën e gjuhëve të huaja në Shqipëri, krahas çështjeve të tjera, u diskutua me përgjegjësen e Departamentit të Gjuhëve Angleze dhe Gjermane, Dr. Laureta Vavla, edhe rëndësia e hapjes së një cikli studimi Bachelor dydisiplinor Anglisht-Gjermanisht. Kjo, me qëllimin për t’u ofruar studentëve që kanë dëshirë të studiojnë e të njohin gjuhë e kultura të huaja, alternativa dhe mundësi më të gjera studimi.