Sesion informimi mbi mundësi punësimi nga Departamenti i Administratës Publike

Departamenti i Administrtës Publike (DAP) në 25 maj 2017 zhvilloi me studentët e vitit të tretë të degëve të ndryshme të sistemit Bachelor, Master Profesional dhe Master Shkencor të Fakultetit të Shkencave të Edukimit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan një sesion informimi mbi mundësitë e punësimit. Specialistët e DAP informuan mbi procedurën e regjistrimim dhe hapat që duhen ndjekur për t’u punësuar në sektorë të ndryshëm. Studentët paraqitën interes mbi këto mundësi, duke bërë pyetje të ndryshme e duke dialoguar me specilistët e fushës. Fakulteti i Shkencave të Edukimit mbetet gjithmone i hapur për mundësi të tilla, duke kryer funksionin e aktorit kryesor në ndihmë të studentëve për t’u përfshirë në tregun e punës.

Në mbështetje të fushatës për sigurimin e fondeve për fëmijët në nevojë

Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Edukimit iu bashkuan fushatës për sigurimin e fondeve për fëmijët në nevojë, fushatë kjo e ndërmarrë në bashkëpunim me “Kryqin e Kuq” Elbasan për periudhën Maj-Qershor 2017.

Ky aktivitet rriti më tej ndërgjegjësimin rreth problemeve sociale dhe ekonomike të fëmijëve në nevojë dhe nxiti diskutime mbi trajtimin dhe krijimin e mundësive gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për ta.

Konferenca e Parë Kombëtare “Sfidat e arsimit parauniversitar dhe shërbimet psiko-sociale në shkollë”

Në datë 20 maj 2017, në mjediset e Fakultetit të Shkencave të Edukimit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan u mbajt Konferenca e Parë Kombëtare “Sfidat e arsimit parauniversitar dhe shërbimet psiko-sociale në shkollë”. Kjo konferencë u organizua në bashkëpunim me shoqatën “Psikologët shqiptarë” dhe me DAR, Elbasan.

Në fjalën përshëndetëse, Rektori i Universitetit të Elbasanit, Prof.Dr.Skënder Topi ka vlerësuar se ngjarje të tilla shkencore, janë mjaft të rëndësishme, pasi ato shërbejnë që akademikët e universitetit, kërkuesit shkencorë dhe profesionistët nga sektorë të ndryshëm shërbimi, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi për veprimtari konkrete me interes të gjërë publik.

Dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Prof.Asc.Dr.Valentina Haxhiymeri, u ka uruar mirëseradhjen të pranishmëve në këtë konferencë, dhe ka theksuar se ky forum vjen në një moment të rëndësishëm të zhvillimeve të vrullshme reformuese në sistemin arsimor parauniversitar dhe shërbimeve psiko-sociale në shkollë, që synojnë arritjen e cilësisë në edukim, garantimin e drejtësisë sociale dhe krijimin e shanseve të barabarta për mirëqënie dhe sukses shkollor.

Konferenca u përshëndet edhe nga përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, z. Pëllumb Karameta, kryetarja e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit znj. Gentiana Sula, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Prof. Dr. Edmond Rapti, nën/Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Elbasan znj. Elena Xhina, drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Rajonale Elbasan Dr. Jonida Cungu, drejtorja ekzekutive e shoqatës “Psikologët shqiptarë” Prof.As.Dr. Fiona Todhri, si dhe të ftuar të tjerë. 

Qëllimi i kësaj konference ishte inkurajimi i diskutimit dhe shkëmbimit të ideve rreth sfidave konkrete që ndeshen sot brenda sistemit arsimor parauniversitar, duke marrë në fokus tre sektorë shërbimi të ndërlidhur ngushtësisht: edukativ, psikologjik dhe social; nxitja e debatit mbi gjetjet e reja kërkimore dhe praktikat më të mira të zbatimit të pedagogjisë moderne në mjediset diverse të të nxënit, të programeve sociale me bazë shkolle për fëmijët dhe familjen, dhe të strategjive të ndërhyrjes psikologjike për të fuqizuar fëmijët, prindërit dhe personelin e shkollës; shtimi i kontributit përmes qasjeve kërkimore në përparimin teorik dhe praktik të shkencës së edukimit, psikologjisë dhe shërbimeve sociale; mbështetja me të dhëna konkrete nga tregu i punës i fakulteteve që formojnë mësues, psikologë dhe punonjës social dhe mbi bazën e tyre, përmirësimi i programeve të studimit dhe kualifikimit në vazhdimësi, që t`i përgjigjet me efikasitet kërkesave dhe standardeve të kohës; përkrahja e iniciativave për zgjerim të mëtejshëm të bashkëpunimit midis pjesmarrësve.

Konferenca krijoi mundësi për një komunikim ndërdisiplinor midis akademikëve, kërkuesve, mësuesve, psikologëve, punonjësve socialë, vendimarrësve dhe politikbërësve, duke bërë pjesë të tij edhe studentët dhe ish të diplomuar të UE. Gjatë zhvillimit të saj pjësëmarrësit referuan në sesione paralele me tematika: Reforma në sistemin arsimor dhe sfidat për të ardhmen; Çështje të mësimdhënies dhe të nxënit në arsimin parauniversitar; Çështje psiko-sociale dhe pedagogjike të edukimit gjithëpërfshirës; Probleme sociale që ndikojnë në edukim; problemet psiko-sociale në shkollë; sfidat e edukimit në fushën e vlerave qytetare, kulturore dhe sportive. 

Leksioni hapur nga Prof.Dr. Ilia Kristo “Sipërmarrja dhe shkollat si mjedise sipërmarrëse”

Departamenti i Metodologjive të Mësimdhënies në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, më datë 18 maj 2017, organizoi një leksion të hapur me studentët e programit Mësues për arsimin fillor me temë “Sipërmarrja dhe shkollat si mjedise sipërmarrëse” nën drejtimin e Prof.Dr. Ilia Kristo, pedagog i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Edukimi për sipërmarrjen në shkollë është identifikuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit si një instrument efikas për nxitjen e sipërmarrjes dhe punësimit të të rinjve në vendin tonë.  Studentët e pranishëm drejtuan mjaft pyetje në lidhje me temën e trajtuar. Ata e vlerësuan si mjaft të dobishëm këtë leksion dhe theksuan rëndësinë e madhe të shkollës si institucioni që drejtpërdrejt merret me formimin e nxënësit dhe përgatitjen e tij me njohuri, shkathtësi e shprehi, aftësimin e tij  për të përballuar sfidat e jetës, për t’iu përshtatur ndryshimit dhe për ta krijuar atë.

Aktivitet në kuadër të “Javës së Familjes”

Në kuadër të “Javës së Familjes”, Forumi i gruas, Elbasan në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Edukimit organizoi në datë 10.05.2017 ora 10.00 një aktivitet me studentë dhe pedagogë të Departamentit të Shkencave Sociale dhe Edukimit Qytetar. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ndërgjegjësimi i komunitetit dhe veçanërisht i të rinjve mbi çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe barazinë gjinore. Zj. Mirela Gjoni dhe znj. Gentjana Hasalla prezantuan shërbimet e ofruara nga Forumi i gruas dhe projektet e ndërgjegjësimit që zbatohen në qarkun e Elbasanit. Në këtë kuadër, Aurora Balukja, pedagoge në FSHE-së mbajti një leksion të hapur me temë: “Dhuna kundër grave dhe vajzave, një fenomen për t’u luftuar”. Gjatë aktivitetit studentët treguan interes dhe diskutuan rreth çështjeve të trajtuara. Ata shprehën dëshirën për t’u përfshirë nëpërmjet artit në aktivitete kundër dhunës dhe barazisë gjinore.

Vizitë pune në Universitetin Jug - Perëndimor “Neofit Rilski”, Bllagoevgrad, Bullgari.

Në kuadër të marrëveshjes  së bashkëpunimit midis universitetit tonë dhe Universitetit të South-West “Neofit Rilski” në Bllagoevgrad, u zhvillua një vizitë pune nga një grup pedagogësh të Fakultetit të Shkencave të Edukimit. Sipas një axhende të përcaktuar më parë, u realizuan takime me Assoc. Prof. Trayan Popkochev- dekan i Shkencave të Edukimit, Dr. Vaska Stancheva-Popkostadinova - shefe e Departamentit të Shkencave Mediko-Sociale dhe Ph.D. Petrana Stoykova- pedagoge në Departamentin e Psikologjisë. Nga takimet e realizuara u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe të interesit të përbashkët në këto drejtime: shkëmbime pedagogësh dhe studentësh; publikime (botime) reciproke; pjesëmarrje në aktivitete reciproke; pjesmarrje reciproke në konferenca shkencoredhe partneritete në projekte. U shfaqën interesa për bashkëpunim në fushat: Sociologji Edukimi; Sociologji e Ligjeve; Sociologji e Politikës; Pediatri Sociale; Sociologji Psikiatrike dhe në fushën e Edukimit “Edukimi në aktivitetet Sociale”. U diskutuan edhe çështje të organizimit dhe të zhvillimit të praktikave shkollore.