Zhvillohet ceremonia e diplomimit në Fakultetin Ekonomik

Fakulteti ekonomik pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ka zhvilluar ceremoninë e diplomimit për 1028 studentë të tij, në të gjitha programet e studimit në ciklin e parë dhe të dytë. Të pranishëm në këtë ceremoni, përveç drejtuesve të pedagogëve të këtij fakulteti dhe Rektorit të Universitetit Prof.Dr. Liman Varoshi, ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë zoti Ilir Meta, Ministrja e Arsimit dhe Sportit zonja Lindita Nikolla si dhe drejtues të pushtetit vendor, deputetë e të ftuar të tjerë. Në fjalën e hapjes së kësaj ceremonie, dekani i Fakulteti Ekonomik Prof.Asc.Dr. Altin Idrizi ka shprehur kënaqësinë dhe emocionin e organizimit të këtij aktiviteti, i cili kurorëzon punën disavjeçare të studentëve dhe gjithë stafit akademik në drejtim të dijes. Ai ka theksuar se Fakulteti ekonomik i Universitetit të Elbasanit, me ritmet e tij të zhvillimit ka arritur gjatë këtyre viteve të bëhet një ndër pjesët me thelbësore të gjithë Universitetit të Elbasanit, por edhe me një ndikim mjaft të madh në jetën sociale dhe intelektuale të gjithë qytetit të Elbasanit dhe jo vetëm. Ndërkohë duke folur për të ardhmen dekani Altin Idrizi, ka vënë theksin në inisiativën që pranë Fakultetit Ekonomik disa prej programeve të studimit në ciklin master të zhvillohen tërësisht në gjuhën angleze dhe më pas kjo të zbresë edhe në ciklin e parë bachelor. Sipas tij kjo do ti mundësojë këtij fakulteti thithjen e fondeve të Bashkimit Europian në drejtim të arsimit, si dhe ndërkombëtarizimin e diplomës së tij, për të thithur studentë jo vetëm vendas pro edhe të huaj.

 

Ndërkohë në fjalën e tij Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.Dr.Liman Varoshi, e ka cilësuar ceremoninë e dorëzimit të diplomave për studentët, si mjaft domëthëse dhe emocionuese, pasi ajo përbën kurorëzimin e dijeve të studentëve. Rektori Varoshi ka deklaruar se puna e stafit drejtues të Unieversitetit gjatë këtyre viteve është fokusuar në drejtim të cilësisë, kjo edhe në kuadër të proçesit tejet të rëndëisishëm të akreditimit të universiteteve. Në kuadër të kësaj pune, Rektori ka përmendur faktin e kualifikimit të stafit akademik të Universitetit i cili tashmë në masën 70% të tij është me grada e tituj shkencorë, duke ofruar kështu dije më cilësore, investimin ne bibliotekën universitare për tu mundësuar studentëve dhe pedagogëve kushte bashkëohore të mësimit e kërkimit shkencor, e shumë masa të tjera të ndërrmarra në këtë drejtim. Ndërkohë ai ka vënë theksin edhe në faktin se Universiteti i Elbasanit dhe natyrisht edhe fakulteti ekonomik, janë në një punë të vazhdueshme të drejtim të hartimit dhe përmirsimit të kurikulave të programeve të studeimit, me qëlim që ti përshtasin ato me kërkesat e tregut të punës, për të qenë të sukseshëm jo vetëm në përthithjen e studentëve, pro edhe për tu ofruar atyre një diplomë sa më të vlefshme.

Nga ana e saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, duke përshëndetur studentët dhe pedagogët e pranishëm në këtë ceremoni, ka theksuar se sfidë për institucionin që ajo drejton është aplikimi i ligjit të ri të Arsimit të Lartë në vend, jo vetëm në letër por edhe në praktikë. Ajo ka mbështetur filozofinë e Rektorit të Universitetit të Elbasanit, për përshtatjen e kurikulave universitare me tregun e punës, duke theksuar se ky është çelësi i zhvillimit të Universiteve në të ardhmen dhe rritja e vlerës së diplomës Universitare. Ajo ka premtuar mbështetje për Universitetin e Elbasanit, duke shprehur bindjen se ai do të jetë në gjendje, në vazhdim edhe traditës së vyer të së shkuarës të ofrojë dije cilësore.

Suksese studentëve të diplomuar dhe stafit të Universitetit i ka uruar edhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, i cili ka theksuar faktin se do të mbështesë gjithmonë zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit të Elbasanit, i cili është një ndër vlerat më të mëdha që ka gjithë qyteti.

Si i ftuar i nderit në këtë ceremoni Kryetari i Kuvendit zoti Ilir Meta ka falenderuar dekanin e fakultetit dhe rektorin për ftesën, duke theksuar kënaqësinë që është i pranishëm në këtë aktivitet.

Në fjalën e tij përshëndetëse para studentëve dhe familjarëve të tyre, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u shpreh se kjo ceremoni diplomimi është shumë e rëndësishme për të gjithë studentet dhe studentët që diplomohen sot, pasi është kurorëzimi i një investimi të jashtëzakonshëm, jo vetëm individual, por edhe familjar dhe mbi të gjitha edhe shoqëror.“Ndaj dua t’ju përgëzoj për këtë arritje, për këtë sukses dhe njëkohësisht jam i bindur se ambiciet tuaja, edhe akademike, edhe profesionale nuk përfundojnë me këtë diplomim, por ju duhet t’i vazhdoni të gjitha etapat me vendosmëri edhe më tej.  Padyshim që një falënderim të veçantë, unë do t’jua bëj të gjithë prindërve tuaj sepse ju jeni mjaft të lumtur dhe mjaft të gëzuar, por të jeni të sigurt se prindërit tuaj janë edhe më të lumtur, edhe më të gëzuar se ju sepse investimi në edukimin e fëmijëve, është investimi më i rëndësishëm që bën çdo prind në jetën e  tij dhe për familjen e tij”, tha z. Meta. 
Z. Ilir Meta deklaroi se Shqipëria është në një rrugë të rëndësishme dhe të pandalshme, atë të integrimit evropian dhe padyshim që pozicionimi i saj si vend anëtar i Bashkimit Evropian nesër, do të jetë veçse produkt i aftësive tona për të konkurruar me efikasitet dhe me sukses në të gjitha fushat për të ofruar vlera më  cilësore.

Më pas është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të diplomave, ku disa prej studentëve me rezultate të shkëlqyera, këto diploma u janë dorëzuar nga të ftuarit e kësaj ceremonie.