Konferencë në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt

Në 90 vjetorin e lindjes së Martin Camajt, Universiteti i Elbasanit, përkatësisht departamentet e Gjuhës dhe të Letërsi-gazetarisë, kanë organizuar një konferencë shkencore, në kujtim të kësaj figure të shquar të mendimit intelektual shqiptar. E ftuar në këtë konferencë ishte edhe bashkëshortja e Martin Camajt, Erika Camaj, e cila erdhi enkas për të qenë pjesë e saj, nga Gjermania.

Duke folur në hapje të kësaj konference Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Prof.Dr. Liman Varoshi, u ka uruar mirëseardhjen të pranishmëve dhe është ndalur në veprimtarinë dhe kompleksitetin e figurës së Martin Camajt në hapësirën mbarëshqiptare. “dija jonë, dija universitare dhe akademike, ka detyrime të mëdha ndaj figurës së Martin Camajt, shkrimtar e shkencëtar, albanolog e profesor, me kontribute të pashmangshme në historinë e gjuhës shqipe, të shkrimit dhe alfabetizmit të saj, në etnologji e antropologji, në studimin e dialekteve, të historisë së letërsisë kombëtare prej fillimeve deri tek bashkëkohësia, prej Mesharit të Gjon Buzukut dhe veprës së Bogdanit, deri tek Ismail Kadare”, ka thënë rektori Liman Varoshi gjatë fjalës së tij. 

Ndërkohë Rektori Varoshi gjatë fjalës së tij ka theksuar edhe rëndëinë e veprës letrare të Martin Camajt, e cila prej 30 vjetësh i mungoi lexuesit shqiptar, për shkak të diktaturës, duke theksuar synimin e Universitetit të Elbasanit, që veprat e tij të studiohen në nivelet master, me qëllim specializimin e një brezi studiuesish të denjë për t’u marrë me interpretimin e saj.

Duke u ndalur në historinë e jetës së Martin Camajt, rektori Liman Varoshi ka thënë: “ Martin Camaj u largua nga Shqipëria kur pa se asaj po i shfaqej rreziku i totalitarizimit dhe i kontrollit prej lidershipit bolshevik botëror. Shqipëria zyrtare kurrë nuk ia hapi dyert, shtypi zyrtar kurrë nuk ia përmendi emrin. Gati një shysëm shekulli shkenca dhe kultura shqiptare, bënë sikur Martin Caman, personalitet dhe fenomen, nuk ekzistonte. Por Camaj, kurrë nuk e ngatërroi Shqipërinë zyrtare, me Shqipërinë vendlindje. Nuk qoftë edhe një rast të vetëm që ai të ketë përgojuar vendin e tij, ta ketë qortuar në sy të të huajve, të ketë ndarë veten prej saj. Si të thuash, Camaj e deshi vendin e tij me gjithë dhimbjet që po përjetonte”

Pas fjalës së Rektorit Prof.Dr. Liman Varoshi edhe akademik Rexhep Ismajli dhe Prof.Dr.  Shaban Sinani, kanë vlerësuar gjatë fjalës së tyre, veprën dhe dimensionin intelektual të Martin Camajt, duke theksuar edhe njëherë faktin e rëndësisë së studimeve të tij në disa fusha, ku në secilën prej tyre, ai jo vetëm ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer, por një bazë të rëndësishme të fondit të mendimit intelektual mbarëshqiptar. 

Ndërkohë për nder të veprës së tij dhe të aktit të bashkëshortes së tij, që një pjesë të mirë të bibliotekës së Martin Camajt, ia dhuroi bibliotekës së Universitetit të Elbasanit, një prej sallave të kësaj Biblioteke tashmë do të mbajë emrin “Martin Camaj”.

Martin Camaj lindi në Temal, të Dukagjinit në vitin 1927. Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe mbaron studimet në kolegjin jezuit “Xaverianum”. Camaj u bë pjesë e rezistencën antikomuniste pas vitit 1944 dhe në vitin 1948 arrin të arratiset nga Shqipëria për ti shpëtuar persekutimit. Fillimisht vendoset në Beograd, ku mbaron edhe studimet e larta në Universitetin e kryeqytetit jugosllav, në degën e filologjisë romake me specialitet gjuhë dhe letërsi italiane. Më pas vendoset ne Itali, ku nën drejtimin e Ernest Koliqit, në vitin 1960, mbron tezën e doktoraturës në Universitetin e Romës, me “Mesharin” e Gjon Buzukut.  Në vitin 1960 shkon në Mynih të Gjermanisë, ku pas përfundimit të një kursi 10 mujor, fillon të japë mësim pranë Universitetit  Ludwig-Maximilian. Pikërisht në Mynih ai do të kalonte gjithë jetën e tij deri sa ndërroi jetë në 12 mars të vitit 1992. 

 

Konferencë e departamentit të Gjuhës në Universitetin e Elbasanit mbi veprimtarinë e Prof.Dr Remzi Përnaska

Remzi Përnaska, personalitet i gjuhësisë shqiptare, ishte titulli i konferencës që Departamenti i Gjuhës, pranë Fakultetit të Shkencave Humane në UE zhvilloi në sallën kryesore të Bibliotekës Universitare. Duke hapër këtë konferëncë, në prani të studiuesve më të shquar të gjuhësisë shqiptare dhe personaliteteve të shkencave filologjike në vend, Rektori i Universitetit të Elbasanit, duke iu drejtuar personalisht Prof.Dr. Remzi Përnaskës e ka falenderuar atë për kontributin e dhënë në ndihmë të shkencave gjuhësore shqipe, si dhe në ndihmë të Universitetit të Elbasanit. Prof.Dr Liman Varoshi ka theksuar se Remzi Përnaska një personalitet që jetën e ka çuar përmes Parisit dhe Shqipërisë ka një kontribut të posaçëm në gjuhësinë shqipe dhe një prodhimtari studimore që sa vjen e bëhet më e çmuar. Edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.Dr. Roland Gjini ka vlerësuar Profesor Remzi Përnaskën për ndihmën që i ka dhënë fakultetit që drejton në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe kontributin personal në literaturë të dhuruar, për ta bërë më cilësore mësimdhënien e gjuhës shqipe në këtë fakultet. Shefi i Departamentit të Gjuhës Prof.As.Dr Albert Riska në cilësinë e organizatorit të kësaj Konference ka theksuar se të organizosh një konferencë për Remzi Përnaskën është kënaqësi, pasi kemi të bëjmë me një personalitet të vërtetë në fushën e gjuhësisë.
Konferenca më pas ka vazhduar me seancat plenare ku janë prezantuar 20 referate dhe studime shkencore në lidhje me veprimtarinë dhe punën e Prof. Dr Remzi Përnaskës.

Për aktivitetin shkencor e pedagogjik të prof.dr. Remzi Përnaska

I lindur në Korçë më 20 dhjetor 1934, shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesme i kreu në vendlindje, kurse studimet e para të larta për gjuhë dhe letërsi ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Tiranës, më 1956. Pas mbarimit të studimeve të larta për gjuhë ruse më 1956 ka punuar si mësues i gjuhës shqipe dhe ruse në Cërrik të Elbasanit deri në vitin 1960. Vazhdoi me korrespondencë Institutin e Lartë Pedagogjik katërvjeçar, po për gjuhë dhe letërsi ruse, por, meqë u dërgua për të mësuar turqishten në Institutin e Gjuhëve të Lindjes në Moskë, nuk mundi të marrë diplomën përkatëse. Pas kthimit nga Moska, më 1961, vazhdoi studimet e larta në degën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, të cilat i kreu më 1963. Për rezultate të shkëlqyera në studimet e larta, e mbajtën pedagog të sintaksës së gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës shqipe të këtij fakulteti, ku punoi si pedagog i sintaksës së gjuhës shqipe, prej vitit 1963 deri në vitin 1974.
Në vitin 1974 u dërgua si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, ku punoi deri në vitin 1982. Gjatë kësaj kohe u regjistrua në kurse të ndryshme për gjuhësi të përgjithshme dhe teorike. Ndoqi kurset e gjuhëtarit të madh francez Andre Martinet (i cili në librin e vet “Memoires d’un linguiste, vivre les langues”, Paris, 1993, faqe 201 flet shprehimisht për të), si edhe të gjuhëtarit tjetër të shquar francez Antoine Culioli, nën udhëheqjen shkencore të të cilit përgatiti një tezë për gradën më të lartë shkencore që ka Franca: "Doktor Shteti". Nuk e mbrojti dot se Ministria e Arsimit e Shqipërisë e detyroi të kthehet në atdhe një javë para mbrojtjes, më 1982.
Që nga viti 1975 është anëtar i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjuhësisë Funksionale, kurse nga viti 1976 është anëtar i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Parisit dhe nga viti 1994 edhe i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Francës (shih "Annuaire des Linguistes de France” 1995-1996, faqe 57), që nga themelimi edhe i Rrethit të Gjuhëtarëve të Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore (viti 1997). Në vitin 1980 iu propozua nga Shoqata e Jo Aristotelianëve të ShBA-së të bëhet anëtar i saj, por nuk iu dha leja përkatëse nga autoritetet shqiptare të asaj kohe. Pas kthimit në atdhe, u emërua punonjës shkencor në Sektorin e Gramatikës dhe të Dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku punoi deri në vitin 1991. Gjatë kësaj kohe ka botuar artikuj shkencorë në revistat shqiptare "Studime filologjike", "Studia albanica", etj., si edhe në revista të huaja të specializuara në gjuhësi, si "Cahiers balcaniques", "Faits de langue", "Travaux du cercle des linguistes de l'INALCO", "Presses Universitaires de France", etj.
Është autor i dy krerëve (kundrina, rrethanori) dhe ka ndihmuar për redaktimin e pjesës së sintaksës së fjalisë të vëllimit të tretë të “Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe”, botuar nga Akademia e Shkencave.
Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës "Studime filologjike" dhe i vëllimit të dytë të veprës së A. Xhuvanit, anëtar i Këshillit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1983 deri në vitin 1991; ka qenë delegat në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe më 1972, ku ka diskutuar dhe mbajtur një kumtesë. Ka marrë pjesë në kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për gjuhësi; ka mbajtur ligjërata për gjuhën shqipe si në Athinë, Paris, Këln, Puatje, Marsejë, Nantë, Mynih, etj. Ka hartuar disa zëra për Fjalorin enciklopedik shqiptar. Nga tetori i vitit 1991 deri në shtator 1997 ka punuar sërish si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris. Ka botuar artikuj në revista të specializuara franceze dhe ndërkombëtare.
Ka mbrojtur një disertacion me temën "Kundranori me parafjalë në gjuhën shqipe" dhe ka fituar gradën "Doktor i shkencave" në Shqipëri. Ka botuar në Pejë librin "Kundranori me parafjalë në gjuhën shqipe". Ka mbrojtur një disertacion për doktor shteti me temën "Sintaksa e thënies në gjuhën e sotme shqipe (Sintaksa e trajtave të shkurtëra të përemrave vetorë)" dhe ka fituar gradën më të lartë shkencore që ka Franca: "Doctor d'Etat des lettres et sciences humaines", si edhe të drejtën për të udhëhequr punime doktoratash në Shqipëri dhe në Francë, për të qenë anëtar jurish për mbrojtje doktoratash. Kjo doktoratë i dha edhe titullin "Profesor" në Francë. Ky disertacion u botua në frëngjisht nga Presses Universitaires du Septentrion, Lille 1997, 672 faqe (shih Catalogue des theses disponibles, Septentrion Presses universitaires, Mars 1998, f. 21).
Bashkëpunimi i prof.dr. Remzi Përnaskës me Universitetin e Elbasanit është i shumanshëm: ai është këshilltari dhe nxitësi shkencor i një sërë veprimtarish shkencore të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar të organizuara në UE “A.Xhuvani”; është hartues dhe bashkëhartues i politikave të kërkimit në shkencor në nivel fakulteti dhe departamenti (në departamentin e gjuhësisë); është lektor i disiplinave të reja dhe bashkëkohore në ciklin e dytë të studimeve, në programin e studimit “Master i shkencave në gjuhësi”, si “Gjuhësi teorike”, “Morfologji teorike” etj.; është pjesëtar si këshilltar i grupit të punës për përgatitjen e dosjes së aplikimit për ciklin e tretë të studimeve në UE “Doktoratë në albanologji”, veçanërisht në profilin gjuhësi etj.
Për më tepër, prof.dr. Remzi Përnaska është mbështetës i palodhur i kërkuesve të rinj të departamentit të gjuhësisë së UE “A.Xhuvani”, duke siguruar për ta literaturë bashkëkohore, këshillim literature dhe kërkimi shkencor, nxitës i kualifikimit të tyre shkencor, drejtues dhe krijues i lidhjeve shkencore me universitete me profile të ngjashme në Francë, dhe, së fundi, pasurues i bibliotekës shkencore, që nga bibliotekat vetjake të kërkuesve të rinj e jo vetëm të departamentit, deri të fondet e Bibliotekës Universitare të UE “A.Xhuvani”.
Për këtë, në shenjë vlerësimi real dhe mirënjohjeje ndaj kësaj figure të rëndësishme të shkencës shqiptare Universiteti i Elbasanit e ka nderuar prof.dr. Remzi Përnaskën me titullin “Honoris causa”.

Zhvillohet Konferenca Ndërkombëtare “Letërsia dhe Kultura Arbëreshe”

Departamenti i letërsi-gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin e Elbasanit ka organizuar konferencën ndërkombëtare me temë “Letërsia dhe kultura arbëreshe”. Pjesë e kësaj conference kanë qenë të ftuar të shumtë, studiues nga të gjitha trevat shqiptare dhe jo vetëm, dhe në mënyrë të veçantë dy studiuesit e shquar arbëreshë Matteo Mandala dhe Francesko Altimari. Konferenca hap siparin e gjithë aktiviteve shkencore që zhvillohen në Shqipëri në kuadër të vitit deradian, për nder të 200 vjetorit të lindjes së rilindasit të shquar shqiptaro-arbëresh Jeronim De Rada dhe përkëtë qëllim pjesë e konferencës ka qenë edhe Zv.Ministri i Kulturës Zef Çuni. Duke I uruar mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof.Dr . Liman Varoshi theksoi rëndësinë e konferencës e cila në qendër ka studimet në lidhje me figurën e Jeronim De Radës. 

“ Jeronim De Rada është emblemë e Rilindjes sonë Kombëtarë, emblem e një epoke, është figura ku kovergojnë të gjitha qendrat e zhvillimit të mendimit të lirë shqiptar”, ka theksuar Prof.Dr Liman Varoshi gjatë fjalës së tij. Ai ka theksuar se rreth kësaj figure të shquar janë bashkuar të gjithë rilindasit e tjerë të epokës dhe studiuesit e tanishëm në perëndim apo në lindje. 

Edhe Zv.Ministri i Kulturës Zef Çuni ka vlerësuar maksimalisht figurën e Jeronim De Radës, ndërkohë që kreu i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini i pranishëm në ceremoninë e hapjes së koferencës, ka përgëzuar stafin akademik të Universitetit për organizimin e konferencave të tilla. 

Ndërkohë për të gjithë të pranishmit me mjaft interes janë ndjekur kumtesat shkencore të dy Profesorëve arbëreshë, Matteo Mandala dhe Francesko Altimari, të cilët me prezantimet e tyre kanë sjellë të reja të mëtejshme, rreth aktivitetit të Jeronim De Radës por edhe të gjithë komunitetit arbëresh në Itali, në drejtim të letërsisë dhe kulturës shqiptare në të shkuarën. 

Zhvillohet Konferenca Ndërkombëtare “ Plurilingualizimi në arsimin e lartë”

Departamenti i Gjuhëve angleze dhe gjermane, pranë Fakultetit të Shkencave Humane, në Universitetin e Elbasanit ka zhvilluar konferencën ndërkombëtare “Plurilingualizmi në Arsimin e lartë”, me pjesmarrjen e studiuesve shkencore nga brenda dhe jashtë vendit.  

Kjo konferencë ka përkuar edhe me 20 vjetorin e hapjes së degës së gjuhës angleze pranë këtij universiteti. Në ceremoninë e hapjes së koferencës, përveç rektorit të Universitetit Prof.Dr.Liman Varoshi dhe drejtuesve të tjerë të tij, kanë qenë të pranishëm edhe Zonja Valerie O’Brien  Drejtoreshë e Zurës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë,  Zonja Aida Bërxolli Drejtoreshë e Këshillit Britanik në Shqipëri, Zoti Earl Wall Drejtor i Përgjithshëm i Korpusit të Paqes në Shqipëri, Zoti Agim Leka Këshilltar i Ministres së Arsimit dhe Sportit si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Duke folur përpara të pranishmëve Rektori i Universitetit Prof.Dr.Liman Varoshi u ka uruar mirëseardhjen të ftuarve dhe ka theksuar se kërkimi shkencor dhe konferenca të tilla që i shërbejnë këtij kërkimi janë në qendër të punës së Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, për ta kthyer këtë institucion në një ambientet të vërtetë universitar. Ai gjithashtu theksoi se gjuhët e huaja pranë këtij universiteti, janë ndër programet e studimit të cilat kanë ecur denjësisht në respekt të traditës së Universitetit të Elbasanit, në degët e mësuesisë. 

Pas përshëndetjes edhe nga ana e të ftuarve të tjerë, Konferenca ka zhvilluar punimet e saj për dy ditë me rradhë.

 

 

Veprimtari

Në kuadrin e veprimtarive të Departamentit të Gjuhëve Angleze dhe Gjermane të UE-së, si dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë në këtë Universitet u organizua më datë 18.04.2014 shfaqja e filmit dokumentar „Martin Camaj, i papërsëritshëm“, kushtuar personalitetit të Martin Camajt, si përfaqësues i kulturës dhe letërsisë shqiptare në mërgim gjatë gjysmës së dytë të shek. XX. Në këtë shfaqje ishin të pranishëm studentë si edhe shumë njohës dhe dashamirës të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Premiera e këtij filmi dokumentar, e realizuar prej një ekipi televiziv, nën drejtimin e gazetares dhe regjisores së njohur Tefta Radi, është shfaqur me shumë sukses në Tiranë, në sallën UNESCO të Muzeut Kombëtar, si dhe në Shkodër sallën e madhe të rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku zonjës Erika Camaj ju dorëzua prej kryetarit të bashkisë së qytetit të Shkodrës edhe dëshmia e nderimit të Martin Camajt si “Qytetar Nderi“ i Shkodrës (pas vdekjes).

Aktivitet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit

Dita ndërkombëtare e librit është përkujtuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani “ të Elbasanit me një aktivitet të organizuar nga Departamentet e Gjuhës dhe të Letërsi-Gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Humane. Pjesë e këtij aktiviteti ka qenë prezantimi i prodhimtarisë intelektuale në fushën e botimeve dhe të kërkimit shkencor të pedagogëve të këtij Universiteti, të cilat janë ekspozuar në një ambient në hollin kryesor të tij.

Ndërkohë më pas me pjesmarrjen e shumë studentëve, është organizuar një ceremony, ku të pranishëm kanë qenë drejtuesit e departamenteve që organizuar këtë veprimtari  Prof. As.Dr. Elvira Lumi dhe Prof.As.Dr. Albert Riska,  dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.Dr. Roland Gjini, por edhe Rektori I Universitetit Prof.Dr. Liman Varoshi.

Rektori Varoshi duke vlerësuar këtë ditë të shënuar, ka theksuar se Universiteti i Elbasanit me shumë botime prestigjoze të shumë pedagogëve të tij, paraqitet dinjitoz, në tregun e botimeve shkencore intelektuale të vendit tonë por jo vetëm. Ai ka theksuar se universiteti do të mbështesë fuqishëm çdo produkt të mirëfilltë intelektual të stafit të tij, i cili synon të çojë përpara kërkimin shkencor. Ndërkohë duke iu drejtuar studentëve ai u ka bërë thirrje të jenë sa më pranë librit, sepse vetëm kështu do të mund të arrijnë rezultatet e dëshiruara për veten në fushën e studeimeve dhe më tej në fushën e jetës. Ai gjithashtu ka ftuar studentët që të jenë sa më të pranishëm në ambientet e bibliotekës së Universitetit, e cila ofron për ta jo vetëm shumë tituj librash, por edhe një akses të plotë në bibliotekën dixhitale.

Edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.Dr Roland Gjini u ka bërë thirrje studentëve të jenë sa më afër librit, duke theksuar se vetëm kështu ata do të kenë potencialin e duhur kulturor e intelektual, për të qenë profesionistë të zotë e të denjë në të ardhmen.

 

Përpara studentëve kanë folur edhe dy autorë librash, pjestarë të stafit akademik të Universitetit, Prof.As.Dr Kujtim Bevapi si dhe autori i librave të njohur për fëmijë Astrit Bishqemi.