Mesazhi i Rektorit të Universitetit Prof.Dr. Skënder Topi.

Prof.Dr. Skënder Topi

Mirësevini në faqen zyrtare të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.  Universiteti i Elbasanit është i nderuar të jetë vazhdues i traditës së shkëlqyer që krijoi në Shqipëri, e para shkollë e formimit të mësuesve, Normales së njohur,  e hapur në vitin 1909. Gjatë gjithë historisë së tij deri në ditët e sotme, Universiteti ynë, është rritur dhe zhvilluar dhe bashkë me të janë rritur dhe kanë dhënë kontributin e tyre, me qindra dhe mijëra pedagogë e studentë, emra të njohur në fushën e shkencës, kërkimit, punës dhe kontributit shoqëror brenda dhe jashtë vendit. 

Aktualisht Universiteti ynë është një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Shqipëri. Pranë 5 fakulteteve tona, ne ofrojmë një larmishmëri të gjerë të dhjetra programeve të studimit, të cilat plotësojnë nevojat e tregut të punës. Synimi ynë është rritja e mëtejshme e cilësisë së mësimdhënies, kërkimit shkencor, përshtatja e vazhdueshme e kurikulës me kërkesat e kohës.   Bashkëpunimi me Universitetet brenda dhe jashtë vendit, në funksion të shkëmbimit të eksperiencave, mobilitetit të studentëve dhe pedagogëve, është dhe do të jetë në fokus të punës sonë të përbashkët. 

Pranë Universiteti të Elbasanit, ju do të gjeni infrastrukturë moderne, kurikula të integruara dhe akredituara sipas kartës së Bolonjës, literaturë bashkohore përfshirë librarinë dixhitale, staf të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit. 

Por ju do të gjeni dhe një qytet mikëpritës dhe me traditë, që njihet si qendër e kulturës dhe arsimit mbarëkombëtar.  

Përpjekjet tona do të jetë të vazhdueshme, me qëllim që Universiteti ‘Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, të kthehet në një qendër të fuqishme të zhvillimit të arsimit të lartë, jo vetëm në hapësirën Shqiptare por edhe atë rajonale dhe me gjerë. 

 

Prof.Dr. Skënder Topi

Rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan