Leksion i hapur i Prof.Asc.Dr. Kujtim Bevapi

Besimet fetare dhe toleranca në qytetin e Elbasanit e në  trevat e tij është tema e leksionit të hapur mbajtur nga prof.as.dr Kujtim Bevapi më 25.05.2015 në ambientet e Bibliotekës së UE.

Përhapja e krishtërimit   në Iliri  ka  nisur  që  në   shek. I dhe  ka  përfunduar    në  shek. VI  i  cili  ka  kaluar  në  disa  faza si: përhapja ilegale (shek.  I-III) dhe  më  pas përhapja  e  përqafimi i krishtërimit  si  fe legale e  më vonë   zyrtare   si  dhe  predikimi në  gjuhën  amtare. Shekulli VII-XI karakterizohet nga  prirjet për  ndarjen e  kishës ndërsa  pas  shek. XI ishte  faza  e  luftës ndërmjet   dy  kishave  romake dhe  asaj  binzantine  për të  ruajtur  zonat e  influencës.Në Elbasan    janë të  njohura   bazilika e Tepes, e  Bezistanit  që  përkasin  shek. IV-V, VI, e Klosit  shek. XIII-XIV, kisha katolike e “Shën Pjetrit” në Mamël (1300 -1592), në Mollagjesh (1400-1600). Ndër faltoret e  krishtera ortodokse të përmendura janë: Kisha e Shën Kollit në Shelcan (para  1554), Kisha   e  Shën e Premtes  në  Valësh (1554), Kisha  e Shën  Mërisë  në   Elbasan (shek. XVII) etj. Mbas  pushtimit  osman,  me rritjen  e  procesit  të  islamizmit,  Elbasani   në  fund të shek.  XVI si  qytet kishte  rreth 75 %   të  popullsisë të  islamizuar.  Ndër faltoret  më  të  hershme muslimane  përmendet  Xhamia  e  Sulltan Fatihut (1466), Xhamia Mbret (1492), Xhamia e Nazireshës (1599),  Xhamia  e  Ballies (1608)  etj. Historia e  Elbasanit dhe  trevave  të  tij në  periudhën moderne e  bashëkohore paraqet një  numër  të  madh  kontributesh në  të  mirë  të  tezës së  një  tolerance fetare  thelbësore të  realizuar  nga  shoqëria  e  tij   në  veçanti,  ashtu  si  dhe  ajo  shqiptare  në  përgjithësi.Qytetaria e Elbasanit  ka  ditur të  japë  shembullin e  një  ndërgjegjeje kombëtare  që  i  ka  rezistuar  konflikteve  të  tyre  fetare. 

Në aktivitetet arsimore e kulturore kombëtare si “Kongresi i Manastirit (1908), “Kongresi i Elbasanit”, (1909), hapjen e Shkollës Normale, në tubimet e protestat e organizuara për alfabetin latin të gjuhës shqipe, ngritjen e flamurit dhe në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare 1912 në Elbasan, të gjithë së bashku, myslimanë e të krishterë u bashkuan për t’i dalë Zot kombit e atdheut.