Leksion i hapur i Prof.As.Dr. Ylli Cerova


Më datë 27.04.2015 prof.as.dr Ylli Cerova zhvilloi një leksion të hapur, duke thelluar më tej hipotezën e hedhur në leksionin e  hapur I, mbi vendodhjen e Clodian-ës antike. Profesori analizoi arkeologjikisht fazat e ndërtimit të urës romake të Topciasit, të urave romake në Mirakë, si dhe sistemin rrugor të kësaj periudhe në trevën e Elbasanit. Gjatë ekspeditave përnjohëse në terren u evidentua traseja romake përgjatë përroit të Kushës, e cila të orienton në Qafën e Krrabës (Qafa e Krrabës, e cila  ndodhet mbi tunelin e rrugës së re Elbasan-Tiranë), për të vijuar më tej në fushën e Tiranës, Lisus, Scod-ër. Si rrjedhojë e këtij studimi prof. Cerova mbron hipotezën e vendodhjes së Clodian-ës antike pranë lumit Shkumbin, në Fushë-mbret.

Një tjetër problematike është ajo e rishqyrtimit të kohës së ndërtimeve të stacioneve antike të Via Egnatia-s (treva Elbasan).

Arkeologu Cerova hedh hipotezën se qyteti i Valmit i periudhës së vonë bizantine, duhet kërkuar në pjesën jugore të Elbasanit të sotëm, aty ku gjendet xhamia e Nazireshës.

Prof.Dr. Emine Sadiku leksion te hapur me teme “Kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës sime”

Kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës sime, kështu ishte titulluar referati (leksioni i hapur) që prof.dr Emine Sadiku mbajti më 10.04.2015. Titulli i materialit të referuar është thënia proverbiale e Ludvig Wittgenstein-it. Kjo thënie ka ngjallur e ndezur shumë diskutime, interpretime, kritika e vlerësime. Thënia është nxjerrë nga vepra  “Tractatus logico-philosophicus” e Wittgenstei-it, botuar në vitin 1921. Në referat u analizua tërë kjo vepër e Wittgenstein-it, konceptet dhe teoritë e tij. Konceptet themelore: bota, gjuha, mendimi u paraqitën të tilla siç janë interpretuar nga vlerësues të ndryshëm të kësaj vepre dhe nga vetë referuesja. Në referat u theksua se Wittgenstein-i dhe vepra e tij nuk mund të kuptohen jashtë sfondit filozofiko-historik ku ai filozofoi dhe shkroi. Për nga pikëpamjet shkencore ai i përkiste shkollës së filozofisë analitike, rryma më e fuqishme filozofike e shekullit të kaluar. Si filozof analist ai shpalli si objekt qëndror studimi gjuhën. Metoda e tij analizuese e përshkruese ishte krejt logjike. Në pikëpamje logjike ai arrin të provojë që kufijtë e gjuhës, mendimit dhe botës përputhen. Por mbetet ende për të provuar nëse bota është krejt ajo që jep Wittgenstein-i, e përbërë nga fakte, konstelacione objektesh dhe objekte. Vepra e Wittgenstein-it është një studim filozofik për një gjuhë formale, ideale. Por a  ekziston një gjuhë e tillë.Reflektimet rreth pyetjeve të tilla bënë që Wittgenstein-i të ndërrojë bindje për objektin e tij filozofik, gjuhën.