Projekt

Qendra e Studimeve Albanologjike e Ballkanologjike, në bashkëpunim me Qendrën e Kërkimeve dhe Promovimit të Peizazheve Historike Arkeologjike (CeRPHAAL), do të kryejnë një projekt studimi arkeologjik në Luginën e Sipërme të Vjosës emërtuar “Kërkime arkeologjikë të periudhës së Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës në Luginën e Sipërme të Vjosës”.
Projekti ka afat 3 vjeçar (2015-2018).
Projekti është  miratuar nga KKA (Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë) pranë Ministrisë së Kulturës.

Qëllimet kryesore të projektit janë:
a)    Zbulimi i vendbanimeve të reja dhe zgjerimi i studimeve në sitet e njohura më parë, përcaktimi i shtrirjes hapësinore dhe kronologjike, formës dhe karakteristikave strukturale e ekonomike të tyre gjatë periudhës së Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës;
b)    Përcaktimi i disa prej aspekteve kryesore jetësore të komuniteteve, kryesisht atyre të lidhura me aktivitetet sociale-ekonomike;
c)    Njohja e marrëdhënieve të ndërsjella e të pashmangshme mes shoqërisë njerëzore dhe mjedisit, në funksion të identifikimit të shkallës së ndikimit të kësaj marrëdhënie në zhvillimin dhe transformimin e peizazhit arkeologjik dhe historik në zonë.

Arritja e këtyre qëllimeve lidhet me një seri objektivash specifike, që renditen si më poshtë:
1)    Identifikimi i siteve arkeologjike, strukturave arkitektonike, dhe gjurmëve të tjera të aktivitetit human, që i përkasin harkut kohor midis periudhave të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës.
2)    Studimi, vlerësimi dhe analizimi i të dhënave arkeologjike në funksion të zbulimit të vendbanimeve dhe përcaktimit të karakteristikave të tyre në lidhje me aktivitetet ekonomike dhe territorin, gjatë periudhave në studimin.
3)    Rindërtimin e peizazhit historik dhe arkeologjik të Luginës së Sipërme të Vjosës dhe njohjen e zhvillimit të habitatit prej Antikitetit të Vonë deri në Mesjetë.
4)    Shtrirjen e kërkimit arkeologjik edhe në periudha të tjera studimi: prehistori; antikitet dhe mesjetë e vonë; për identifikimin dhe regjistrimin e të dhënave me qëllim plotësimin e hartës arkeologjike të luginës.
5)    Krijimin e një platforme unike në sistemin gjeografik informatik (GIS), për ruajtjen, përpunimin dhe analizimin e një game të gjerë të dhënash, të tilla si ato arkeologjike, monumentale, historike, ambientale, etj.
6)    Trajnimin e studentëve me metodat e mbledhjes dhe dokumentimit të informacionit arkeologjik në terren dhe laborator si edhe njohjen dhe aftësimin e tyre me praktikat e përdorimit të shkencave kompjuterike në fushën e arkeologjisë.
7)    Shpërndarja e njohurive mbi arkeologjinë, trashëgiminë kulturore dhe historike  të Luginës së Sipërme të Vjosës nëpërmjet kryerjes së aktiviteteve edukative, me nxënësit e shkollave të mesme dhe nëntëvjeçare të rrethit Përmet.
8)    Informimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve mbi vlerat e trashëgimisë arkeologjike e monumentale, dhe mbështetja e përpjekjeve për mbrojtjen dhe promovimin e tyre, si elementë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit kulturor në zonë. 

Ekipi i projektit
Prof. As. Dr. Ylli Cerova (Universiteti “Aleksandër Xhuvani”/QSAB, Elbasan): Bashkë-drejtues, arkeolog i periudhës së Antikitetit të Vonë dhe asaj Bizantine.
Ardit Miti (CeRPHAAL, Doktorant, Universiteti i Granadës, Spanjë): Bashkë-drejtues, arkeolog i Mesjetës së Hershme; Bashkëdrejtues i projektit; Remote Sensing dhe GIS.
Eglantina Serjani (CeRPHAAL, Doktorante, Universiteti i Granadës, Spanjë): Bashkë-drejtuese e projektit; survej dhe sondazhet arkeologjike.
Prof. Jose Maria Martin Civantos (Universiteti i Granadës, Spanjë): arkeolog i periudhës së Mesjetës së Hershme në rajonin Mesdhetar; survej arkeologjik.
Prof. Peter Day (Universiteti i Sheffildit, Britani e Madhe): arkeolog i kulturës materiale në territoret e Ballkanit Jugor; etnoarkeologji.
Prof. Roger Doonan (Universiteti i Sheffildit, Britani e Madhe): arkeolog i kulturës materiale në territoret e Ballkanit; gjeokimi dhe gjeofizikë.
Prof. Leonor Peña Chocarro (Shkolla Spanjolle e Romës, Itali): arkeologe prehistoriane, studim arkeobotanik.)
Surja Lela (Ad-star Sh.p.k. Tiranë): arkeolog terreni; survej dhe sondazhe arkeologjike.
Florenc Cenolli (Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Korçë): skicograf
Silva Belegu (Specialiste e QSAB-së, Elbasan) antropologe sociale

Studentë të  Universitetit “Aleksandër Xhuvani":
Fransi Skora, master në Histori
Blandor Abazi master në Histori
Ervis Kasa, bachelor në Histori-gjeografi
Gazmir Çela, bachelor në Histori-gjeografi
Elvis Sllami, bachelor në Histori-gjeografi

Financime
Projekti studimor arkeologjik në Luginën e Sipërme të Vjosës do të realizohet në kuadër të projektit MEMOLA, financuar nga Këshilli Evropian në programin Fp7.
Ndërkaq, bashkëpunëtorët e përfshirë në projekt do të ofrojnë mbështetje në kapacitete humane dhe mjete të tjera teknike në funksion të realizimit të projektit.