Programet e Studimit

1. Studimet universitare organizohen në këto sisteme;

  • studime me kohë të plotë;
  • studime me kohë të pjesshme;

2. Programet e studimeve në FSHN në sistemin me kohë të plotë organizohen në tre cikle të njëpasnjëshme:

  • cikli i parë;
  • cikli i dytë;
  • cikli i tretë;

Fakulteti ofron programe studimi të ciklit të parë ku lëshohen diplomat universitare si më poshtë:

  1. Bachelor në Matematikë-Fizikë, profili Matematikë;
  2. Bachelor në Matematikë-Fizikë, profili Fizikë;
  3. Bachelor në Biologji-Kimi;
  4. Bachelor në Teknologjitë e Informacionit;
  5. Bachelor në Fizikë Kompjuterike.
  6. Bachelor në Matematikë-Informatikë;

Fakulteti ofron programe studimi të ciklit të dytë ku lëshohen diplomat universitare si më poshtë:

  1. Master i Shkencave në Matematikë e Zbatuar;
  2. Master i Shkencave në Mbrojtje Mjedisi;
  3. Master Profesional në Teknologjitë e Informacionit.
  4. Master Profesional në Analist Prodhimi

 

Fakulteti ofron programin e studimit të shkollës dyvjeçare Teknolog- laborant ku lëshohet diplomë jouniversitare.

Programi i studimit Bachelor në Matematikë-Fizikë siguron që studentët të marrin njohuritë bazë shkencore në lëndët matematike dhe fizike. Nga ana e matematikës i është dhënë rëndësi tri komponeteve kryesor të saj: formimi në algjebër, në gjeometri si dhe në njehsimin diferencial dhe integral. Nuk janë lënë jashtë vëmendjes dhe elemente të matematikës së zbatuar si probabiliteti dhe statistika që janë shumë të nevojshme ne ciklin bachelor. Për sa i përket fizikës janë futur konceptet kryesore të fizikës së përgjithshme dhe të mekanikës teorike bashkë me veprimtarinë praktike të saj. Studentët të cilët mbarojnë këtë program studimi janë në gjendje të vazhdojnë ciklet e dyta të studimit si në masterat profesionale dhe në masterat e shkencave.

Programi i studimit Bachelor në Teknologjitë e Informacionit synon që të edukojë studentët të fitojnë njohuritë bazë të shkencave kompjuterike në mënyrë që ata të zhvillojnë aftësitë në analizimin, modelimin dhe projektimin e sistemeve për zgjidhjen e problemeve e teknologjisë së informacionit dhe të rrisin formimin e tyre në shkencat kompjuterike, arkitekturën e kompjuterit, projektimin dhe analizën e algoritmave. Është qëllimi ynë ti specializojmë në punën në grup dhe bashkëpunimin me qëllim që të kontribojnë në progresin e shkencës dhe të teknologjisë. Studentët që mbarojnë këtë program studimi do të jenë të aftë të vazhdojnë studimet në ciklet e dyta të studimit në drejtimin e shkencave kompjuterike.

Programi i studimit Bachelor në Biologji-Kimi përmban pjesën teorike shkencore të nevojshme  të lëndëve bilogjike e kimike për të qenë në nivelet e duhura. Ai është i pasur dhe me pjesën praktike, me laboratorët, me praktikat dhe ekspeditat përgatëse.
Qëllimi dhe objektivat e këtij program studimi janë:
- Të formojë individë të nivelit universitar në rrugën e mësimdhënies e lëndëve biologjike dhe kimike në shkolla, të përgatisë shkencëtarë të rinj në këtë fushë;
- Të krijojë, të zhvillojë, të mbrojë e të transmetojë dijet me anën e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor;
- Formimin e vazhduar të specialistëve të lartë;
- Kryerjen e studimeve shkencore për të zhvilluar e çuar më tej progresin në përgatitjen e specialistëv që e realizon nëpërmjet mësimdhënies;
- Thellimin dhe zhvillimin e njohurive dhe kompetencave profesionale të mësuesve të ardhshëm duke u përditësuar me njohuritë shkencore të kohës;
- Mbështetja dhe përgatitja e studentëve të talentuar në punën e tyre kërkimore dhe shkencore.
Studentët që mbarojnë këtë program do të jenë të aftë të ndjekin kurset e ciklit të dytë, si në mastera profesionale të drejtimit mësuesi për lëndët biologjike dhe kimike, dhe në masterat e shkencave.

Programi i studimit Bachelor në Fizikë-Kompjuterike synon që të përgatisë individë që të studiojnë dhe të përdorin algoritmat numerikë në problemat e Fizikës për të cilat ekziston një teori kuantike. Këtë drejtim mund ta shohim si ndërthurje e fizikës teorike me atë eksperimentale. Ky program ka si objektiv që të zhvillojë aftësitë e studentëve në përdorimin e metodave të tilla kompjuterike në fizikën e përshpejtimeve, mekanikën fluide, astrofizikën, në zgjidhjen e ekuacioneve diferenciale, metodave stohastike, sidomos asaj Monte Carlo, etj.
Studenti që mbaron këtë program është i pajisur me njohuritë e nevojshme për të vazhduar programet e ciklit të dytë, brenda apo jashtë vendit, në drejtimet e ngjashme.

Programi i studimit Bachelor në Matematikë-Informatike siguron që studentët të marrin njohuritë bazë shkencore në lëndët matematike dhe informatike. Nga ana e matematikës i është dhënë rëndësi tri komponeteve kryesor të saj: formimi në algjebër, në gjeometri si dhe në njehsimin diferencial dhe integral. Nuk janë lënë jashtë vëmendjes dhe elemente të matematikës së zbatuar si probabiliteti dhe statistika që janë shumë të nevojshme ne ciklin bachelor. Për sa i përket informatikës synohet qe studentet të fitojnë njohuritë bazë të shkencave kompjuterike në mënyrë që ata të zhvillojnë aftësitë në analizimin, modelimin dhe projektimin e sistemeve për zgjidhjen e problemeve e teknologjisë së informacionit dhe të rrisin formimin e tyre në shkencat kompjuterike, arkitekturën e kompjuterit, projektimin dhe analizën e algoritmave. Studentët të cilët mbarojnë këtë program studimi janë në gjendje të vazhdojnë ciklet e dyta të studimit si në masterat profesionale dhe në masterat e shkencave.

Programi i shkollës së lartë jouniversitare në Teknolog –Laborant synon të përgatisë specialistë, teknologë dhe analistë  prodhimi në  fushën e teknologjisë në përgjithësi për të qenë të aftë  të menaxhojnë me kompetencë  profesionale  dhe teknike si në teknologjinë industriale, ashtu dhe në aktivitetet teknologjike private. Duke ndjerë nevojat e ngutshme që paraqet tregu i punës, pasi shkollat e mesme profesionale përgatisin vetëm punëtorë, ndërsa degët universitare kryesisht teknologë-inxhinierë dhe projektues, nëpërmjet këtij programi studimi do të plotësohet boshllëku i krijuar midis këtyre dy niveleve.
Studenti i diplomuar në këtë program do të zotërojë kulturën bazë të njohurive në fushën e realizimit të proceseve teknologjike, si dhe teknikave analitike bazë. Ai duhet  të jetë në gjendje të bëjë  analiza të përgjithshme dhe specifike në procesin në të cilin do të aftësohet, të punojë me pajisjet bazë dhe aparaturat laboratorike, po ashtu, në një proces teknologjik të zbulojë  shkaqet e problemeve të dala dhe ti parandalojë ato.
Mundësitë për punësim për individët që mbarojnë këtë program studimi realizohen, së pari, nga nevoja e tregut për profesionistë të kualifikuar jo aq në sensin teorik, sesa në atë veprues dhe praktik, për ndjekjen e teknologjisë në vazhdimësi. Për këtë arsye, një pjesë të rëndësishme të programit do ta zënë veprimtaritë praktike në laborator apo me prani të drejtpërdrejtë  në objekte industriale.  Mundësia e punësimit synohet të realizohet  jo vetëm në ndërmarrje të mëdha prodhuese, por dhe në aktivitetet e vogla private, si në  profilin  agroushqimor, ashtu dhe në atë të punishteve të vogla të prodhimeve të ndryshme industrial. Së dyti, duke synuar të formojë specialistë më cilësorë në përputhje me nevojat  e parametrave të prodhimit  të sotëm, ky program, do të mundësojë punësim  më të shpejtë  të tyre dhe ngritje të cilësisë së prodhimit të sektorëve  në të cilët këto specialist teknologë  do të punojnë.

Programi i studimit Master Profesional në Teknologjitë e Informacionit ka si objektiva kryesore për studentët që do të ndjekin këtë studim:

    • Të pajisen me një kuptim të mirë të cështjeve teorike dhe me aftësitë e nevojshme teknike;
    • Të përvetësojnë dhe demonstrojnë aftësi për analizimin e problemeve në skenare tipike të teknologjisë së informacionit;
    • Të promovojnë disiplinën, vetë-sigurinë dhe të studiuarit individual;
    • Të zhvillohen në punën në grup, bashkëpunimin, komunikimin dhe aftësitë ndërpersonale.

Ndër objektivat specifike për studentët që do të ndjekin programin Master Profesional në Teknologji Informacioni janë:

    • Të implementojnë në programe të botës reale njohuri të bazave të të dhënave, programimit të orientuar në objekte të avancuar dhe programimit mobile;
    • Të organizojnë zhvillimin e software sipas etapave standarde të inxhinierise softwerike;
    • Të analizojnë, projektojnë dhe modifikojnë sisteme të shpërndara;
    • Të analizojnë, projektojnë, kontrollojnë aspekte të sigurisë së sistemeve kompjuterike.

I diplomuari në Master Profesional në Teknologji Informacioni do të jetë i përgatitur dhe i aftë që të kryejë detyra dhe të mbajë pozicione të specialistit të teknologjisë së informacionit në  kompani apo institucione të ndryshme, të administratorit të bazave të të dhënave, të administratorit të rrjeteve, të zhvilluesit të software etj. Nga ana tjetër, programi supozon që të pasurojë njohuritë dhe aftësitë për të diplomuarit që do të pozicionohen në nivele të tjera si drejtues të projekteve, konsulentë, instruktorë trainimesh etj.

Programi i studimit Master Profesional në Analist Prodhimi synon të përgatisë specialistë dhe analistë me një përgatitje të gjerë rreth përdorimit tëmetodave analitike në prodhim dhe teknologji. Programi është ndërtuar mbi bazën e njohurive që jepen në specialitetet e ndryshme kimike, dhe më gjerë si dhe analizës e teknologjisë, mbështetur në realitetin e prodhimit vendas dhe kontrollin e cilësisë së këtij prodhimi. Të gjitha lëndët ngrihen mbi nivelin e ciklit të parë dhe shqyrtohen në një nivel të ri më të avancuar dhe më specifik, që bazohet në radhë të parë në aftësimin praktik të studentëve, si dhe njohjen e produkteve që përftohen nëprodhimin vendas. Ai synon një ndërthurje të mirë me praktikën prodhuese,ku profesioni i analistit në prodhim është mjaft i rëndësishëm. Mundësitë për punësim realizohen, së pari, nga nevoja e tregut për profesionistë të kualifikuar jo aq në sensin teorik, sesa në atë veprues dhe praktik, për ndjekjen e cilësisë së produkteve teknologjike në vazhdimësi. Kjo synohet të realizohet jo vetëm në ndërmarrje të mëdha prodhuese, por dhe në aktivitetet e vogla private, si në profilin agroushqimor, ashtu dhe në atë të punishteve të vogla të prodhimeve të ndryshme industriale.

Programi i studimit Master i Shkencave në Matematikë e Zbatuar synon të përgatisë specialistë të nivelit të lartë të matematikës të cilët të kenë njohuri të thella në matematikë dhe të aftë ta zbatojnë atë në fushat që kërkon tregu i punës.
Ky program konceptohet si një nivel i ri me një bagazh të kompletuar njohurish, i cili i mundëson aplikantit të kryej  punë të pavarur dhe krijuese si edhe i përgatitur për kualifikime të mëtejshme dhe punë kërkimore shkencore. Ai thellon njohuritë e cikleve të ulta në fushat teorike si analizë funksionale, algjebër dhe gjeometri të cilat rrisin mundësitë potenciale për zbatime dhe punë shkencore të mirëfilltë në disa fusha. Një vend qëndror i është dhënë matematikës së aplikuar dhe zbatimit të saj në praktikë  duke synuar nivele të larta punësimi si në arsim dhe në detyrat që kërkojnë optimizim të veprimtarive konkrete në ekonomi, prodhim etj. Një vend me rëndësi zë në program dhe trajnimi për punë kërkimore ndërmjet studimit të metodave të kërkimit operacional ashtu edhe gjatë përgatitjes së temës së diplomës.
Studentët që mbarojnë këtë master mund të shërbejnë në tregun e punës si:

  • formatorë për njohuritë matematike
  • inspektorë për profilet matematike
  • punonjës në institucionet pedagogjike dhe shkencore
  • këshilltarë në sistemin bankar dhe financiar

Programi i studimit Master i Shkencave në Mbrojtje Mjedisi pasurohen studimet mjedisore mbi bazën e fakteve dhe të informacionit të ri shkencor, zgjerohet rrethi i problematikës shkencore dhe gjeografia e këtyre studimeve duke përfshirë si pjesë integrale të tyre aspekte të ekosistemeve ujore detare dhe të ëmbla, ligatinat, tokësore, pyjet, kullotat, perspektivat afatshkurtra dhe afatgjata të popullatave të gjallesave dhe marrëhëniet midis tyre. Ky program synon të orientojë fushën e studimeve në përputhje të plotë me objektivat e përgjithshme të zhvillimit të qëndrueshëm dhe me strategjinë e kërkimit shkencor në këto fusha, në përvojën e fituar nëpërmjet hartimit dhe botimit të një legjislacioni të ri mjedisor, menaxhimit të kujdesshëm të mjedisit dhe të zbatimit të programeve mjedisore duke u bazuar në kërkime të mirëfillta shkencore në këto drejtime.