Laboratorë

Në FSHE funksionojnë 6 laboratorë të pajisur me mjetet e nevojshme didaktike, të cilët synojnë lidhjen e teorisë me praktikën dhe u japin mundësi studentëve të ushtrohen, të shfaqin aftësitë e tyre dhe të mësojnë duke bërë. Destinacioni i tyre paraqitet si më poshtë:

Laboratori (kabineti) i vizatimit (2 laboratorë)

Laboratori i muzikës (2 laboratorë)

Laboratori i punës së dorës (Edukimi teknologjik-2 laboratorë)

Funksionet e Laboratorit të vizatimit lidhen me realizimin e proceseve teorike, praktike dhe krijuese në fushën e emërtuar “Edukimi i Artit Figurativ”. Lëndët dhe modulet e strukturuara në këtë fushë trajtimi metodologjik, si edhe kushtet e laboratorëve të artit për zhvillimin e njohurive dhe praktikave krijuese në artet pamore, ndihmojnë në realizimin e objektivave të formimit të standardizuar të mësuesve të arsimit fillor dhe parashkollor. Në Kabinetin e Artit Pamor realizohet metodologjia mësimdhënëse lidhur me artet pamore nëpërmjet një cikli të gjerë leksionesh dhe seminaresh.

Laboratorët e muzikës shërbejnë për organizimin e procesit mësimor në këto module: Edukim muzikor e Didaktikë; Mësim instrumenti; Edukim koral dhe Metodikë e edukimit muzikor. Ata janë të pajisur me instrumentin e pianos në gjendje teknike të mirë. Klasat kabinet të muzikës janë domosdoshmëri në procesin mësimor duke mundësuar realizimin praktik të përmbajtjes së këtij procesi, aftësimin e studentëve në këtë fushë si dhe i ndihmon ata (studentët) të shpalosin vlerat individuale gjatë të mësuarit për të qenë të aftë në organizimin e procesit mësimor. Në punën që zhvillohet në këta laboratorë nxiten edhe talentet gjë që është pasqyruar në veprimtaritë e shumta që Fakulteti apo Universiteti ka organizuar me koncerte premierë apo koncerte tematike.

Laboratorët e Punës së dorës (Edukim teknologjik) synojnë lidhjen e teorisë me artet e aplikuara krijuese. Në to zbatohet integrimi didaktik midis artit dhe shkencës.

Njëkohësisht, laboratorët janë të pasjisur me mjete mësimore didaktike të realizuara kryesisht nga veprimtaria zbatuese dhe krijuese e stdentëve që përgatiten për mësues në arsimin fillor apo atë parashkollor sipas programit të hartuar në përputhje me kurrikulën shkollore.