Qendra për Kërkim dhe Zhvillim në Edukim

Misioni i QKZHE-së është që të mbështesë kërkimin rigoroz për të ofruar zgjidhje për problemet më kritike të edukimit të sotëm, jo vetëm në rajonin e Elbasanit, por edhe më gjerë, me prioritet sigurimin e cilësisë në arsim dhe arritjeve shkollore për të gjithë nxënësit, në veçanti për ata, të cilët kanë mbetur mbrapa në aspekte të ndryshme të edukimit për shkak të shërbimit arsimor të papërshtatshëm dhe gjendjeve të shoqëruara me varfërinë, kulturën, racën/etninë, nivelin e pamjaftueshëm të zotërimit të gjuhës shqipe, aftësinë e kufizuar dhe rrethanat familjare.
QKZHE parashikon të arrijë këtë mision duke zhvilluar standarde të larta të kërkimit në edukim, që përfshijnë procedura të parashikuara me korrektësi për vlerësimin e projekt-studimeve kërkimore, për përzgjedhjen e metodave të përshtatshme, për matjen dhe verifikimin e të dhënave dhe sigurimin e tërësisë së komponentëve të një kërkimi me nivel të lartë të vlefshmërisë dhe besueshmërisë.
Për këtë qëllim, QKZHE do të angazhojë në programet e saj të kërkimit dhe vlerësimit një ekip të përbërë nga shkencëtarë dhe prakticientë të kualifikuar, ekspertë për çështje të ndryshme të edukimit dhe kërkimit në edukim, të cilët do të punojnë së bashku për të instaluar përvojën e kërkimit rigoroz, të lidhur ngushtësisht me praktikën shkollore, vendin ku ndeshen problemet, ku mund të lindin idetë, zhvillohen, testohen, përpunohen dhe aplikohen gjetjet më të fundit studimore.
Nëpërmjet kërkimit të standardizuar, QKZHE synon që të zgjerojë më tej dijet dhe kuptimin për edukimin bashkëkohor, duke ofruar për mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, politikbërësit dhe vendimmarrësit, prindërit dhe nxënësit, studiuesit dhe të interesuarit e tjerë, informacion të paanshëm, të përshtatshëm dhe të dobishëm.
QKZHE synon të hulumtojë pikat e takimit dhe ndasitë kritike të shkencës së edukimit me shkencat humane, sociale dhe të natyrës, me qëllim që të shpjegojë kuptimin teorik, metodologjik dhe fenomenologjik të edukimit në një marrëdhënie më të gjerë me shoqërinë, dhe në veçanti, të gjurmojë lidhjet midis edukimit dhe faktorëve të tillë socialë si: familja, shëndeti dhe mirëqënia. 
QKZHE parashikon të shtrijë kërkimin në një rang të gjerë të çështjeve edukative, të lidhura me programet shkollore, praktikat e mësimdhënies, politikat arsimore, reformat, kualitetin e mësuesve, lidershipin në arsim, konjicionin dhe të nxënit e nxënësve, përfshi edhe nxënësit me vështirësi në të nxënë në lexim, shkrim, matematikë dhe shkenca, duke filluar nga parashkollorët deri tek adoleshentët. Investigimi do të synojë identifikimin e problemeve dhe vështirësive, impaktin e tyre tek arritjet e nxënësve, zhvillimin e ndërhyrjeve edukative të reja, zhvillimin profesional të mësuesve, vlerësimin e  efikasitetit të programeve dhe praktikave të zhvilluara.
Gjithashtu, QKZHE synon të përkrahë shkollat e zakonshme që të rrisin kompetencat e tyre duke përdorur njohjen e bazuar në kërkim, për të transformuar veten në komunitete të nxëni që dinë të administrojnë dhe zhvillojnë me sukses vlerat, besimet dhe aftësitë profesionale të anëtarëve të tyre, në një mënyrë që garantojnë jo vetëm nivele të larta të arritjes për të gjithë nxënësit, por edhe sinergjinë e nevojshme për të shtuar numrin e shkollave të tjera si komunitete të suksesshme të të nxënit.
QKZHE do të zhvillojë kërkime për të evidentuar masën e përfshirjes së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në praktikat mësimdhënëse në klasë dhe praktikat drejtuese në shkollë, si dhe mënyrat për të përshpejtuar këtë proces. Ajo do të sigurojë burime të shumta, mjete, materiale, broshura, guida, etj. që mund të ndihmojnë mësuesit në krijimin dhe zbatimin e teknologjive efektive në edukim.
Përmes kërkimit të kontrolluar dhe inovacionit në fushën e edukimit, QKZHE parashikon të kontribuojë për të siguruar vazhdimësinë e reformave në arsim dhe përvijimin në ardhmen e reformave arsimore më të qëndrueshme, në shkallë vendi.
QKZHE do të zhvillojë programe kërkimi që u përgjigjen interesave dhe nevojave imediate të profesionistëve të edukimit duke inkurajuar kërkuesit që të forcojnë lidhjet e partneritetit me kopshtet dhe shkollat, duke rritur në këtë mënyrë përshtatshmërinë praktike të gjetjeve kërkimore me punën dhe përpjekjet e përditëshme të profesionistëve të edukimit.  
QKZHE synon të propogandojë dhe të shpërndajë rezultatet studimore për edukimin, të nxisë zhvillimin profesional, si dhe të informojë publikun e gjerë duke përdorur strategji dhe teknika të ndryshme, si: publikime, promovime studimore, diskutime në grupe specialistësh për çështje kritike të edukimit, seminare, simpoziume, konferenca etj. Një vend të rëndësishëm në këtë drejtim, do të zenë botimet, si: revista shkencore e qendrës, tekstet, broshurat, guidat, etj. si dhe produktet teknologjike dhe informuese, të shfrytëzueshme për komunitetin shkencor, për mësuesit, prindërit dhe të interesuar të tjerë.  
Gjithashtu, QKZHE do të kujdeset që të mbështesë dhe të trajnojë kërkuesit e rinj në fushën e edukimit. Për këtë qëllim do të ndërthuren në programet e kërkimit të QKZHE-së, punimet e diplomimit të studentëve më të spikatur të FSHE-së që ndjekin Programin e Studimit Mësues për Arsimin Parashkollor, Mësues për Arsimin Fillor, “Master Profesional” në Mësuesi, Administrim dhe drejtim arsimi, Psikolog në institucione, Punë sociale me fëmijët dhe familjen, si dhe të gjithë studentët e Programit të Doktoraturës me drejtim mësimdhënien.
QKZHE synon të zhvillojë një politikë të gjërë të bashkëpunimit në kërkim, me mësues dhe profesionistë të edukimit, me institucione të inspektimit dhe drejtimit në arsim, me agjenci të interesuara për studime në edukim, si dhe të intershipit, me qendra kërkimi mes fakulteteve të ndryshme të UE-së, ndëruniversitare brenda dhe jashtë vendit, kombëtare dhe ndërkombëtare.