Zhvillohet Konferenca e 4-t Nderkombetare Shkencore

“Integrimi i ekonomisë rajonale në tregjet ndërkombëtare” ishte tema e konferencës së katërt ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik të Elbasanit. Këtë

herë i ka takuar departamentit të Financë-kontabilitet të udhëheqë punimet ku merrnin pjesë studiues nga disa universitete edhe nga jashtë vendit. Në përshëndetjen e rastit deputetja, ish dekane e këtij fakulteti, Evis Kushi theksoi se në fakultetin Ekonomik është krijuar tashmë një traditë mjaft e mirë në trajtimin shkencor të temave aktuale të ekonomisë. “Me shumë kënaqësi konstatoj se niveli i kësaj konference vjen në rritje si për pjesmarrësit, punimet dhe organizimin". Deputjeta e Elbasanit theksoi se tashmë jemi në fazën e implementimit të ligjit të ri për arsimin e lartë dhe sipas saj implementimi do të rrisë cilësinë.

Konferencën e ka përshëndetur edhe zv-ministri i Energjisë, Ilir Bejtja. Bejtja gjithashtu ka shprehur vlerësimet për punimet shkencore të referuara në këtë konferencë. Ndërkohë zv-rektori Jani Dode u ndal tek impakti që duhet të kenë studimet e këtij fakulteti në zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit të Elbasanit. Ai përmendi faktin se zona industriale është një mundësi e mirë për të zhvilluar konkretisht këto studime duke bashkëpunuar me ministritë e linjës për ta bërë më të organizuar dhe më atraktive për investitorët vendas dhe të huaj.

Dekani i Fakultetit Altin Idrizi në fjalën e tij përshëndetëse duke përgëzuar kolegët për punimet shkencore, u shpreh se kjo është një konferencë dinjitoze dhe që ka si qëllim që të nxisë kërkimet shkencore në fushën e ekonomisë. Sipas tij prania e studiuesve nga universitete të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë i rrit vlerat konferencës. “Ne kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me Universitetin e Barit dhe në panel janë dy përfaqësues nga ky universitet. Po ashtu kemi përfaqësues nga Universiteti i Bratisllavës dhe nga universitete të tjera si të huaja dhe të vendit. Qëllimi ishte një konferencë dinjitoze me pjesmarrës cilësorë dhe mendoj se ja kemi arritur qëllimit. Tema kryesore është integrimi në tregjet ndërkombëtare dhe në këtë këndvështrim vjen edhe bashkëpunimi rajonal për ta bërë sa më të lehtë e sa më të shpejtë këtë integrim”.

Në konferencë janë përzgjedhur 45 studime shkencore të fushës së ekonomisë nga pedagogë të shumë inversiteteve brenda dhe jasht vendit.