Leksion Publik: Zgjerimi i demokracisë pjesëmarrjese në nivel lokal


Më 21 maj 2012, EMA, në bashkëpunim me Universitetin e Elbasanit "Aleksandër Xhuvani" organizoi një leksion publik mbi "Zgjerimin e demokracisë pjesëmarrjese në nivel lokal", ku i ftuar nderi ishte Shkëlqesia e Tij Z. Henk G. C. Van Den Dool, Ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri. Ky aktivitet u mbajt në kuadër të projektit "Forcimi i demokracisë pjesëmarrëse dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale nga të rinjtë në Shqipëri" mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Leksioni u ndoq nga studentë dhe profesorë të universitetit.

Aktiviteti u hap me fjalimin përshëndetës të Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA, i cili theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në procesin e vendim-marrjes lokale si një instrument efektiv në përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Z. Gjipali gjithashtu përmendi angazhimin dhe përkushtimin disa-vjeçar të EMA-s për të inkurajuar pjesëmarrjen dhe aktivizmin e brezit të ri në politikë-bërje, si nxitës i zhvillimit demokratik.

Z. Henk G. C. Van Den Dool, Ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, dha një leksion mbi demokracinë dhe rëndësinë e demokracisë pjesëmarrëse. Gjatë fjalës së tij Z. Van Den Dool analizoi konceptin e demokracisë duke bërë një paralelizëm mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera evropiane. Në këtë krahasim ai kritikoi ndarjen administrative të Shqipërisë, si një element që në një farë mase kontribuon negativisht në qeverisjen dhe demokracinë e vendit. Më tej,  analiza e Z. Van Den Dool u përqendrua mbi përgjegjshmërinë e demokracisë, si elementi më i rëndësishëm që përshkruan punën e qeverisë. Funksionimi i saktë i këtij elementi kërkon një shkallë të lartë të pjesëmarrjes së publikut. Prandaj, interesi i vazhdueshëm publik është i nevojshëm, veçanërisht ai i të rinjve, pasi ata janë modeluesit e të ardhmes.

Në këtë kuadër, në fjalën e saj, Znj. Teuta Toska, Zëvendës Dekane e Universitetit, paraqiti kritikën e saj në lidhje me mungesën e interesit të studentëve në lidhje me këshillin e tyre studentor. Sipas Znj. Toska, demokracia pjesëmarrëse i ka rrënjët e saj në mjedisin shkollor. Ajo u bëri thirrje studentëve që të jenë më aktive dhe të kërkojnë të drejtat e tyre nëpërmjet këtij këshillit, pasi është organi më i rëndësishëm që i përfaqëson ata në procesin e vendim-marrjes të çdo universiteti.

Më pas aktiviteti u ndoq nga një seksion i hapur diskutimesh ku studentët dhe stafi akademik i drejtuan pyetje ambasadorit.